Apeli liron 5 rojet bregdetare, u arrestua se lejuan të iknin skafistët e 55 emigrantëve
Ky ishte reagimi i familjarëve (shiko videon) për 5 rojet bregdetare të dyshuar se ndihmuan të largohet skafistin që tentoi të trafikojë 55 klandestinë nga Shqipëria drejt Italisë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë që nxori nga qelia.
Mes brohorimave e lotëve të gëzimit thanë se drejtësia u vu në vend për 5 të rinjtë që sipas tyre janë heronj dhe jo shkelës të ligjit.
"Këta djem ishin heronj dhe kishin shpëtuar jetën e 57 njerëzve."
Apeli i Vlorës vendosi që Bledar Bufaj, Roland Cani, Ardit Alikaj, Sejfulla Beja, Besmir Mece, do të hetohen në gjendje të lirë për akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë aksionit ku ata shpëtuan 55 klandestinët që mbeten në gomone në mes të detit, mbrëmjen e 8 janarit.
"Nuk kishte të bënte fare me shpërdorimin e detyrës, ky ishte një operacion humanitar ku 5 djem të shkëlqyer të anijes "Bora 116" shpëtuan jetën e 57 emigrantëve."
Më herët, Gjykata e Vlorës ka lënë në qeli 3 personat e arrestuar për trafikun e drogës 3 ditë më parë kur në Karaburun u kap një gomone me 577 kilogramë kanabis.
Për Mandi Begaj 43 vjeç, Herman Muçaj 27 vjeç dhe Ëngjëllush Mukaj 37 vjeç, Gjykata caktoi 40 ditë arrest në burg, kohë në të cilën Prokuroria duhet të dorëzojë prova të tjera.
Të ndaluarit akuzohen për trafik ndërkombëtar droge dhe u arrestuan pasi u ndoqën disa orë në det me gomonen e ngarkuar me lëndë narkotike, ku një pjesë ishte në formë çokollate.
Policia thotë se ende po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës.
