Krisje me Leonardon, Pochettino drejt rikthimit te Tottenham

Edhe pse fitoi Superkupën dhe Kupën e Francës, në mënyrë surprizuese, Mauricio Pochettino nuk ka më garanci për të qëndruar si trajner i Paris Saint Germain.

Trajneri argjentinas mori në Janar drejtimin e PSG teksa dështoi të fitonte kampionatin përballë Lille dhe shkoi deri në gjysmëfinalen e Champions League dhe këto statistika për Drejtorin Sportiv, Leonardo mund të quhen një dështim.

Është drejtuesi Brazilian që po mendon ta shkarkojë ose të zgjidhë kontratën me të pasi mendon se Pochettino nuk ka arritur të imponohet me idetë e tij në ekipin francez të mbushur me yje.

Mësohet se Leonardo ka nisur punën për të gjetur një trajner të ri dhe tani tekniku argjentinas e ka të qartë që duhet të largohet e ndoshta në mendjen e tij është edhe rikthimi i bujshëm te Tottenham.

Presidenti Levy ka patur një bisedë sipas shtypit anglez me Pochettinon e gjithashtu edhe lojtarët e Spursave janë në entuziazmuar për një rikthim të tillë ndaj dhe rikthimi i tij në Londër është një mundësi shumë konkrete.

Gjithçka do të vendoset nga drejtuesit parizienë të cilët kanë kërkesa të larta për emrin e trajnerit të ardhshëm e nuk është e lehtë të arrihet edhe te zëvendësuesi i mundshëm i Pochettinos ku ky i fundit është më shumë jashtë sesa brenda Parisit.