Lehtësohen masat, finalja e Kupës pritet me tifozë në “Air Albania”

Komiteti Teknik i Ekspertëve i mbledhur sot ka vendosur lehtësimin e disa masave kufizuese ku përfshihen edhe rikthimi i tifozëve në stadium por duke nisur nga 1 Korriku. Dy nga pikat e vendosura nga Komiteti dhe që lidhen direkt me aktivitetet sportive janë si më poshtë:

 1) lejohen kampionatet sportive me prezence te tifozëve me kapacitete te reduktuara deri ne 30%, sipas protokollit te IShP.

  2)  lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet te reduktuar deri ne 30% te spektatoreve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve te IShP.

Një vendim i tillë prek direkt finalen e Kupës së Shqipërisë që në fakt luhet më 31 Maj por nuk përjashtohet që Ministria e Sporteve dhe ajo e Shëndetësisë të bëjnë një lëshim për vetëm 24 orë lidhur me ndeshjen duke lejuar tifozët në “Air Albania”.

Edhe vetë FSHF u ka dërguar letër të dy institucioneve të mësipërme dhe ka optimizëm që të merret një vendim në favor të hapjes së dyerve të stadiumit për finalen e Kupës.

Fakti që dy javët e fundit pati një lëshim nga autoritetet që mbyllën një sy duke lejuar tifozët në stadiumet ku u luajt titulli kampion, mund të jetë sinjal që tashmë ka ardhur koha që të paktën një finale Kupe të luhet me mbështetësit e skuadrave në “Air Albania”.

Gjithsesi pas 1 Korrikut tifozët do të jenë në stadium dhe për skuadrat shqiptare që do të luajnë në Kupat e Europës, Teuta, Partizani, Vllaznia dhe Laçi do të kenë mundësi të kenë tifozët në anën e tyre për këto ndeshje.