Tre të arrestuar në Korçë, po transportonin 19 emigrantë. U merrnin 1200 euro

Policia e  Korçës ka vënë në pranga 3 shtetas tëcilët u kapën duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm.

Njëri prej shtetasve të arrestuar drejtonte mjetin pa lejë drejtimi.

Në kuadër të operacionit të koduar "Perimetri" u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Mateo Zhgjuni, 19 vjeç, S. O., 17 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe Mensur Bici, 18 vjeç, banues në Durrës.

Sipas njoftimit të bluve, këta shtetas u kapën  në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Memëlisht, Pogradec,duke udhëtuar me mjet tip "Nissan" me drejtues shtetasin Mateo Zhgjuni dhe pasagjer shtetasin S. O., duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1200 euro për person, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.   

Nga hetimet e kryera dyshohet se edhe shtetasi Mensur Bici ishte bashkëpunëtor me dy shtetasit e lartpërmendur në këtë veprimtari të paligjshme, pasi kryente mbikëqyrjen e rrugës me mjetin tip "Range Rover", të cilin e drejtonte pa leje drejtimi.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pogradec, për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" kryer në bashkëpunim dhe "Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt".