Bjellorusia akuzon BE-në dhe SHBA-në se po mbytin Bjellorusinë me pretendime false : Perëndimi shkeli vijat e kuqe
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka qortuar fuqitë perëndimore duke thënë se i duan të keqen vendit të tij.
Kryeshtetasi bjellorus reagoi të mërkurën publikisht për herë të parë që prej incidentit të fundjavës kur nën urdhrat e tij, mësohet se u kërkua ulja e detyrueshme e një avioni që po fluturonte drejt Lituanisë dhe ku pasagjer ishte edhe një gazetar kritik me qeverinë.
Lukashenko i tha parlamentit se ai veproi ligjërisht në interes të popullit, bazuar në një informacion paraprak nga Zvicra se në avion ndodhej një bombë.
Presidenti e quajti gënjeshtër pretendimin se avioni u shoqërua nga një avion luftarak bjellorus deri në uljen në aeroportin e Minskut.
"Siç e parashikonim, keqdashësit tanë brenda dhe jashtë kanë ndryshuar metodat e sulmeve ndaj shtetit. Po shkelin shumë vija të kuqe dhe kufijtë e gjykimeve të shëndosha e morale."
Reagimi i Lukashenkos vjen pas vendimit të Bashkimit Europian për t'i ndaluar çdo kompanie ajrore bjelloruse fluturimin në hapësirën ajrore dhe përdorimin e aeroporteve europiane.
Si pasojë e ngjarjes së fundit, linja të ndryshme ndërkombëtare gjithashtu po devijojnë fluturimet e tyre përjashtë hapësirës ajrore bjelloruse.
Ndërkohë vijojnë thirrjet për lirimin e gazetarit kritik me qeverinë, Roman Protaseviç, i cili u arrestua të dielën bashkë me partneren, teksa po kthehej nga Greqia në Lituani.
26-vjeçari u shfaq të hënën nga dhomat e paraburgimit në Bjellorusi ku e akuzojnë për terrorizëm dhe nxitje trazirash.
Prindërit e tij thonë se videoja ishte e inskenuar dhe se atje i rrezikohet jeta.
"Në Greqi nuk ndihej i rrezikuar por as këtë nuk e prisnim. Po kthehej me avionin e një shteti të BE-së drejt një shteti tjetër të BE-së."
"Jam plot me emocion dhe dua t'i them botës, ju lutem ma shpëtoni djalin. Ai ka dashur vetëm të thotë të vërtetën. Atje kanë për ta vrarë", thotëv nëna e gazetarit.
Opozita bjelloruse thotë se po përgatitet për një valë të re protestash antiqeveritare, si ato që nisën verën e kaluar kur Lukashenko u shpall për herë të gjashtë president i Bjellorusisë.
