Vaksinat, BE takohet në gjyq me AstraZeneca

"AstraZeneca" duhet penalizuar për vonesat në dorëzimin e vaksinave antikovid për europianët.

Me këtë akuzë, Bashkimi Europian përballi të mërkurën, 25 maj, përfaqësuesit e kompanisë anglo-suedeze në një gjykatë të Brukselit.

Në seancën e parë, BE-ja akuzoi firmën biofarmaceutike se shkeli në mënyrë flagrante kontratën e firmosur një vit më parë, duke u dorëzuar shteteve anëtare vetëm 30 milionë doza vaksinash në tremujorin e parë kur sasia e pritshme ishte katërfishi, 120 milionë doza.

Furnizimi do vijojë në sasi të reduktuar edhe për korrikun me 70 nga 180 milionë doza të premtuara, por "AstraZeneca" është shfajësuar se vonesat kanë qenë të pashmangshme dhe pala tjetër ka qenë që herët në dijeni.

"Sot ishte një procedurë specifike, vendimi provizor përpara vendimit final. Ai do i mbetet gjyqit kryesor, atij që nis më 25 shtator 2021" u shpreh Pascale Monteiro Barreto, zëdhënësi i Gjykatës.

"AstraZeneca" ka bashkëpunuar me Universitetin e Oksfordit për zhvillimin e vaksinës.

Dozat synohej të përdoreshin në shumicë në Bashkimin Europian, por për shkak të vonesave, BE-ja tani po përdor kryesisht prodhimet më të shtrenjta nga kompania "Pfizer/BioNTech".

Danimarka, Norvegjia dhe Austria e kanë ndalur imunizimin e qytetarëve të tyre me vaksinën angleze, ndërsa në shtete si Franca, ajo rezervohet vetëm për personat mbi 55 vjeç.