Gomonia me 577 kg kanabis në Karaburun, arrestohen tre persona

Tre persona u arrestuan për tentativën  e trafikimit të 577 kilogram lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë me një gomone të kapur në Gjirin e Dafinës në Karaburun.

Skafistët e arrestuar janë Mandi Begaj 43 vjeç, Ëngjëllush Mukaj 34 vjeç dhe Herman Muçaj 27 vjeç.

Pas një ndjekje në det të hapur skafistët tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën nga forcat e Policisë.

Në operacionin që zgjati disa orë në det, ajër e tokë, ishin të përfshira edhe forcat e Guardia Di Financa.

Kontrolli në gomonen 9 metra të gjatë dhe të pajisur me dy motorë zbuloi një sasi prej 577 kilogram lëndë narkotike, rreth 200 kg është e llojit çokollatë.

Ndërkohë dy nga tre skafistët rezultojnë persona me precedentë penalë!

Engjellush Mukaj është arrestuar në vitin 2016 në tentativë për të trafikuar drejt Italisë 761 kg marijuanë në një skenar identik me atë të së dielës.

Në atë kohë 29 vjeç, ai u vu në pranga bashkë me një italian pas një ndjekje disa orëshe në det të hapur me një gomone 8 metra të gjatë.

Mandi Begaj, 43 vjeç ndërkohë rezulton i arrestuar më 16 shtator 2017 për armëmbajtje pa leje.

Policia ndërkohë po vijon hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në tentativën e trafikimit dhe vendin ku është siguruar lënda narkotike.