KAS miraton rezultatin pas numërimit të 114 kutive të Beratit, rrëzon kërkesën e PD dhe LSI për pavlefshmëri

KAS ka marrë vendimin përfundimtar për zgjedhjet në qarkun e Beratit. Pas rinumërimit të 114 kutive në Berat, KAS ka miratuar tabelën përmbledhëse me rezultatin e ri, ku LSI nuk mundi të marrë mandatin pas ankimimit.

Në mbledhjen e ditës së sotme, janë rrëzuar dhe dy kërkesat e PD dhe LSI për pavlefshmëri të zgjedhjeve në zonën zgjedhore të qarkut të Beratit. 

Palët tashmë kanë 5 ditë kohë të ankimojnë vendimin e KAS në Kolegjin Zgjedhor. Ndërkohë të hënën KAS do të fillojë me shqyrtimin e kërkesave ankimore për qarkun e Durrësit.

‘’KAS pasi diskutoi çështjen në tërësi, bazuar në pikën 1d dhe 2 të Kodit Zgjedhor, vendosi ndryshimin e vendimit të KQZ, për miratimin e tabelës përmbledhëse për qarkun e Beratit, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për zgjedhjet 25 prill 2021.

Miratimin e tabelës përbmledhëse sipas rezultateve të dala nga 114 qendrave të votimit sa i përket subjekteve politike dhe 2 qendrave të votimit për kandidatët.

Rrëzimi i kërkesës për shpallje të pavlefshme pasi konsiderohet e gjykuar në kërkesën ankimore numër 35 të paraqitur nga LSI për pavlefshmërinë në qarkun e Beratit.

Ky vendim shpallet sot dhe hyn në fuqi menjëherë. Pjesë e këtij vendimi është dhe vendimi i ndërmjetëm të rrëzimit të kërkesës së LSI dhe kërkesës së PD. Kundër këtij vendimi bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor para Gjykatës Administrative brenda 5 ditëve. U shpall sot në Tiranë në datën 21 maj 2021. Seanca mbyllet.

Ditën e hënë fillon shqyrtimi i kërkesave ankimore për qarkun e Durrësit. Relator kolegu Bele.’’- tha relatori i çështjes në KAS,  Elvis Cefa.

KAS bëri me dije se nga rinumërimi: LSI ka shtuar rezultatin me 15 vota, Aleanca Demokracia e Re është shtuar me 11 vota, PS ka zvogëluar rezultatin me 20 vota, PD-AN e ka zvogëluar me 9 vota.

KAS miraton rezultatin pas numërimit të 114 kutive të Beratit,