Legalizimi i pallateve në Linzë/ Lame: Politika ta lërë mënjanë këtë proces, ja pse i shtymë legalizimet

Kreu i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame, pasditen e sotme ka bërë shpërndarje e legalizimeve për pallatet në Linzë.

Ndërkohë në një deklaratë për mediat, Lame, shprehet se legalizimi mos jetë çështje politike, dhe sipas tij politika duhet ta lërë mënjanë këtë proces.

Ai shprehet se legalizimet janë shtyrë për pas zgjedhjeve, në mënyrë që të mos akuzoheshin se i kanë përdorur për fushatë.  

“Dua ta shmangë sa të jetë e mundur kadastrën nga politika. Nëse ka një gjë që më gëzon në procesin e Legalizime është që të mos jetë më çështje politike. Politika ta lërë mënjanë këtë proces. Me të thënë të drejtën nuk na kanë lënë.

Fakti si këto pallate këtu qenkan më të mëdha se sa mendoja, i gjithë ky grup ndërtimesh, përgjithësisht i kishin mbaruar procedurat para zgjedhjeve por nuk e kishin përfunduar procesin me historinë se po mbyllen legalizimet. I njëjtë si kjo situatë është edhe tek Lana-Bregas. I kemi shtyrë legalizimet pas zgjedhjeve, pikërisht që të mos na akuzonin për punën se po i përdorim në funksion të fushatës. “

Më tej ai thotë se Kadastra aktualisht është në një mori procesesh gjyqësore sepse opozita pretendon se legalizimet janë përdorur për fushatë.

“Aktualisht Kadastra është në një mori të procesesh gjyqësore të iniciuara nga opozita, se pretendon se legalizimet janë përdorur për fushatë. Legalizimet nuk janë përdorur për fushatën. Ne sot po akuzohemi pse kryejmë funksionin tonë.

Po të mos plotësojmë normën tonë e legalizimeve na bërtet Rama, po ta plotësojmë na akuzojnë se e përdorim për fushatë.  Procesi për legalizimi ka nisur prej vitesh. Procesi i pallateve, veçanërisht pallatet e braktisura, unë i kam kthyer dhe jam munduar t’i bëjë publikisht. “