Ish-ministri i Shëndetësisë Numan Baliq, dënohet me dy vite burgim për sulm seksual
Ish-ministri i Shëndetësisë në Kosovë Numan Baliq u dënua me dy vjet burgim, pasi u shpall fajtor për veprën penale sulm seksual.
Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësi Shaqë Curri, Baliq është dënuar me dy vite burgim. Në këtë dënim, Baliqit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, ndaj Baliqit u shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të mjekut në periudhë prej dy viteve informon "Betimi për Drejtësi"
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, Baliq kishte thënë se nuk ndihet fajtor për veprën që është akuzuar nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Sipas aktakuzës së 29 shtatorit të vitit 2020 Baliq akuzohet se më 12 gusht të atij viti me dashje, e në cilësi të profesionistit shëndetësor ka keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, dhe i ka kërkuar që ta prekë me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, ndërkohë që viktima atë natë ka qenë duke e shoqëruar foshnjën gjashtëmuajshe, të hospitalizuar në repartin e ortopedisë.
Sipas aktakuzës, përderisa foshnja e viktimës ishte duke u trajtuar për shkak të dëmtimeve në ekstremitete, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut/kirurg kujdestar, edhe pse nuk punon në atë repart, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas del dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë së tij, për tu konsultuar dhe kinse për udhëzuar dhe për t’ia siguruar aparaturën e nevojshme.
E dëmtuara, vazhdon aktakuza, duke mos e njohur por duke e pa të veshur me uniformë mjekësore, shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda viktimën, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën tek muri ku më pas i kërkon asaj ta prek dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja, ta hap derën dhe të largohet, me ç’ rast kthehet në dhomën numër 5, dhe nga dritarja kërkon ndihmë tek roja e sigurimit, më pas e raporton rastin në Polici.
Për këto veprime, Numan Baliq po akuzohet për veprën penale “Sulmi Seksual”, nga neni 229, paragrafi 3, nën paragrafi 3.10, pika 3.10.3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. raporton BetimipërDrejtësi