Berisha non grata, Andoni: Basha mund të ketë ditur diçka, priten figura edhe nga PS-ja
Në një intervistë për RTV Ora, analisti Ben Andoni u shpreh se shpallja non grata e ish-kryeministrit Berisha nga DASH ishte diçka e papritur në këto moment, por sipas tij ka pasur indicie për një gjë të tillë.
Andoni tha se do të ketë figura të tjera dhe duhet të presim edhe personazhe të pozitës që do kenë relacione jo të mira me SHBA-të.
Andoni: Në këtë moment mendoj se është diçka e papritur shpallja non grata e Berishës, por jo aq për politikën. E vërteta e mos pjesëmarrjes së Berishës në fushatë nuk ka qenë vetëm këshillimi i grupit të imazhit në PD, por mendoj se ka pasur informacion dhe hamendësoj se Basha mund të ketë ditur diçka për atë që e priste Berishën. Berisha nuk ka më atë qasje që ka pasur kundrejt politikës. Ai është shumë pasiv në kohët e fundit. Duket se ka një parandjenjë për ngjarje të tillë. Berisha duhet të kishte një kujdes në periudhën e dytë të qeverisjes së tij, por nuk ndodhi kështu.
Indikacionet ishin dhënë dhe relacionet që ka dhënë ambasadorja amerikane, ka provuar se ata ishin për gatitur për të goditur figura të tilla. Unë mendoj se do të ketë figura të tjera dhe duhet të presim edhe personazhe të pozitës që do kenë relacione jo të mira me SHBA-të. Berisha është mbajtur si një etalon në PD. Nga ana tjetër një vendim i tillë për vendin do të thotë shumë sepse nëse goditen kaq të larta, edhe drejtësia merr një shtysë për të vepruar. Mendoj se tani dalin edhe variabla të reja sa i përket presidentit Meta.
Andoni shtoi se kreu i opozitës është në një pozitë shumë të vështirë tashmë me këtë vendim dhe prandaj ka qenë i rezervuar.
Andoni: Edhe Basha është në një pozicion shumë të vështirë tani. Qëndrimi i Bashës tregon se ai është pjesë në njohuritë e këtij problemi. As për presidentin nuk po shprehet për nismën e shkarkimit. Edhe për Berishën ka qenë shumë i rezervuar. Atij i kërkohet që të mbajë një qëndrim. Sigurisht në vendin tonë ekziston edhe qëndrimi pse duhet të merren për bazë vendimet e DASH. Por SHBA në shumë raste kanë treguar një mbështetje për vendin tonë disa herë. Unë mendoj se me këtë vendim për Berishën, drejtësia e ka një dorë më të lirë për të vepruar.
