Shifrat dramatike të aksidenteve, 70 të vdekur në katër muajt e parë të këtij viti
Të dhënat më të fundit të INSTAT kanë sjellë një bilanc tragjik lidhur me situatën e aksidenteve në rrugë. Vetëm nëperiudhën janar-prill kanë humbur jetën 70 persona, thuajse dyfishi i një viti më parë. INSTAT konfirmon se shkaku kryesor i aksidenteve janë gabimet e drejtuesve të mjeteve.
Katërmujori i parë i vitit 2021 ka regjistruar një bilanc tragjik përsa i përket aksidenteve rrugore dhe jetëve të humbura nga to.
Të dhënat më të fundit të INSTAT konfirmojnë se këto ngjarje kanë rezultuar fatale për 70 persona.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë numërohen 21 viktima më shumë.
Por shqetësues mbetet edhe numri i lartë i aksidenteve, ku gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 427 aksidente me një rritje prej 35.6%.
Vetëm në muajin që lamë pas janë shënuar 12 viktima nga 10 që janë regjistruar një vit më parë.
Ndërkohë që numri i aksidenteve për të njëjtën periudhë është rritur me rreth 104%.
Gjatë muajit që lam pas janë shënuar 104 aksidente nga 51 që numëroheshin në prill të vitit 2021, i cili ka qenë totalisht i mbyllur për shkak të pandemisë.
Kryeqyteti vijon të qëndrojë në krye të listës, si më problematiku në lidhje me këtë situatë.
Rreth gjysma e aksidenteve të regjistruara në muajin prill kanë ndodhur në Tiranë, ndjekur më pas nga Lezha dhe Fieri.
Janë vetëm Kukësi dhe Berati, të cilat nuk numërojnë asnjë aksident të ndodhur gjatë kësaj periudhe.
Problematike vijon të mbetet gabimet e drejtuesve të mjeteve, pasi 82.7% e rasteve kanë ndodhur për këtë shkak.
Drejtuesit e grupmoshës 25-34 vjeç kanë regjistruar 116 aksidente gjatë muajve janar-prill me një rritje prej 26.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


