S’ndryshon rezultati i Gjirokastrës, KAS rrëzon opozitën, zgjedhjet nuk do të përsëriten
Qarku i Gjirokastrës nuk do të ketë asnjë ndryshim për sa i përket shpërndarjes së mandateve, pasi KAS ka rrëzuar kërkesën e PD, LSI dhe kandidatit të Vetëvendosjes për t’i përsëritur zgjedhjet për shkak të shkeljeve të rënda. Sipas LSI-së, KAS-i funksionon me urdhër politik, ndërsa PD parlajmëroi se do ta ankimojë në Kolegj Zgjedhor.
Në Gjirokastër nuk ka shkelje të mjaftueshme për të përsëritur zgjedhjet parlamentare, por rezultati do të mbetet i njëjtë 3 mandate për PS dhe 1 për PD, ndërsa LSI pa asnjë deputet.
Me 3 vota pro dhe 2 kundër, KAS vendosi të rrëzojë kërkesën e PD, LSI-së dhe të Kreshnik Mërxhanit të Vetëvendosjes.
Kundër votuan Ledio Braho e Elvis Cefa, pro Ilirjan Rusmali, Elvin Lako, Koli Bele.
PD dhe LSI e kanë cilësuar politik vendimmarrjen e KAS-it, ndërsa paralajmëruan apelimin në Kolegj Zgjedhor.
"Do të ankimohet menjëherë në Kolegjin Zgjedhor" tha Ivi Kaso
"Nuk kuptojmë vendimmarrjen e tre anëtarëve të KAS të cilët nën urdhra politikë morën vendimmarrje në shkelje të ligjit" u shpreh përfaqësuesi i LSI-se, Altin Kaziaj
Edhe pse anëtarët e KAS nuk e moren si provë të majftueshme raportin e KQZ me 74 rastet të dyshimta të identifikimit elektronik, në mbledhje nuk munguan debatet e ashpra mes Ilir Rusmajlit, Ledio Brahos dhe përfaqësuesve të PD dhe LSI-së në KQZ.
Ilir Rusmajli: Nuk më intimidoni dot!
"Nuk ka askush qëllimin tju intimidojë. Ju keni bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe e dimë shumë mirë pozicionin e komisionerit" u shpreh përfaqësuesi i LSI-se, Altin Kaziaj
Në seancën dëgjimore nënkomisionerja, Lealba Pelinku, sqaroi se rastet e shumta janë të administratës zgjedhore, por nëse ata kanë votuar apo jo në emër të tjerëve kjo i mbetet autoriteteve të akuzës për ta verifikuar.
Por Rusmajli e orientoi të gjithë diskutimin e verifikimit se cilës forcë politike i përkasin këta persona që kanë tentuar të vënë në provë teknologjinë.
KAS-i nuk pranoi të merrte informacion shtesë nga institucionet e tjera për të verifikuar dyshimet e PD për masakër elektorale para dhe gjatë 25 prillit.
