Nuk përsëriten zgjedhjet në Gjirokastër, LSI: Vendimi i KAS arbitrar, në shërbim të Rilindjes

LSI e quan arbitrar, i njëanshëm, politik në shërbim të Rilindjes vendimin e KAS për të rrëzuar kërkesën e PD dhe LSI që kërkoi pavlefshmëri të rezultatit zgjedhor në qarkun e Gjirokastrës. KAS vendosi të mos ripërsëriten zgjedhjet në këtë qark.
“Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve u shndërrua në një avokat të krimit zgjedhor të rilindjes, të kapjes së zgjedhjeve dhe shtetit duke mohuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të votuar.
Vendimi anti kushtetues dhe tërësisht politik i Komitetit të Ekspertëve i mohoi në mënyrë të njëanshme dhe cënoi të drejtën e votës për mijëra qytetarë shqiptarë që janë jashtë kufijve dhe pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve e tërhoqi këtë vendim duke treguar qartë që ishte një vendimmarrje politike” deklaroi Endrit Brahimllari në një prononcim për median nga selia e LSI-së.
Sipas LSI-së nuk u morën parasysh provat se anëtarë të komisioneve zgjedhore dhe numërues kanë hyrë në Shqipëri pas datës 19 prill dhe nuk iu nënshtruan karantimit duke thyer vendimin e Komitetit Politik të Ekspertëve si dhe ka pasur raste të votimit të më shumë se dy herë.
“Këto fakte, të deformimit të vullnetit të qytetarëve, të mohimit të të drejtës për të votuar por dhe të votimit në emër të personave të tjerë tregojnë qartë se 25 prilli është një masakër e vërtetë elektorale e cila filloi para ditës së zgjedhjeve, u ekzekutua ditën e zgjedhjeve dhe vazhdon të shkatërrohet hapur në sy të të gjithë shqiptarëve.”
LSI shprehet e vendosur se do t’i shkojë deri në fund betejës për zbardhjen e së vërtetës për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve.

