Vaksinat kineze drejt fundit, vonesa për dozën e dytë në Tiranë e rrethe

Marrja e dozës së dytë të vaksinës kineze po shoqërohet me problematika në Tiranë dhe qytetet e tjera për shkak të mungesës së furnizimit. Shumë qytetarë që kanë plotësuar afatin 1 mujor po mbeten pa marrë dozën e dytë ndërkohë se ISHP pranon se ka në dispozicion edhe pak doza të coronavac, të cilat po menaxhohen me kujdes deri në mbërritjen e furnizimit tjetër.

Prej 4 ditësh qytetarët po përballen me vonesa në injektimin të dozës së dytë të vaksinës kineze anti-Covid.

Në Tiranë procesi nisi me vonesë, fillimisht të moshuarve u thënë se mungonin formularët. Më pas qytetarëve iu tha se kishte vaksina.

"Pyeta policin dhe thotë nuk ka."

Megjithëse u njoftuan se procesi do të vijonte deri në orën 18:00, pak minuta pas mesditës të moshuarit mbi 60 vjeç u dërguan në shtëpi duke përdorur argumente të ndryshme, që nga mungesa e vaksinave deri tek fakti nuk ka formularë.

"Vetëm një po shohim, nuk kishin fiormularë."

"Për nesër, nuk e di çfarë i pengon."

"Kam tre ditë që vi për dozën e dytë dhe nuk të jep njeri përgjigje."

"Polici thotë pushim, kaq."

Vaksinimi po shoqërohet me të njëjtat probleme edhe në qytete të tjera.

Në Pogradec procesi është ndërprerë pjesë dy ditësh, ndërsa qytetarët janë njoftuar se do të mund ta marrin dozën e dytë pas 1 jave.

Edhe në Korçë vaksinimi është pezulluar deri në një njoftim të dytë. Qytetarët e Elbasanit dhe të Vlorës u përballën me të njëjtën situatë.

Instituti i Shëndetit Publik pranon se në dispozicion ka mbetur një sasi e vogël e vaksinave kineze, ndaj menaxhimi i tyre, sipas Dritan Ulqinaku, do të bëhet me kujdes deri mbërritjen e dozave të tjera të vaksinës kineze.

"Presim të vijnë nga dita në ditë. Presim negociatat e vazhdueshme të qeverisë për të bërë të mundur që ne të bëjmë organizimin kur vaksina mbërrin në Rinas."

Përfaqësuesi i ISHP shpjegon se marrja e dozës së dytë ka afat të kryhet edhe një javë nga data e përcaktuar.