Basha akuza Ramës dhe Doshit nga Shkodra: Drejtorët e PS u futën në listat e PSD, blenë votat

Kryetari i PD, Lulzim Basha, e ka cilësuar Shkodrën një skenë të krimit elektoral të 25 prillit.

Gjatë një takimi me anëtarët e PD në këtë qytet, Basha tha se Edi Rama sajoi një skemë bashkëpunimi me Tom Doshin, duke futur drejtorët e PS në listat e kandidatëve të PSD.

Basha tha se Tom Doshi i bleu votat masivisht pavarësisht se Ambasada amerikane e deklaroi si pjesë të listës së zezë.

Kreu i opozitës u vlerësoi faktin se demokratët nuk iu nënshtruan presioneve dhe krimit zgjedhor.

Basha: Sot nga Shkodra e krenarise kombetare më vjen keq të pohoj se jemi në një nga skenat e krimit të 25 prillit. Këtu hileja e regjimit Rama-Doshi fshehu koncesionin e Partisë Socialiste si kamuflazh nën siglën e PSD-së.

Por sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD. Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që j’ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare.

E kështu pra, fatkeqësisht, Shkodra e njerëzve me shpirt fisnik nuk përmendet për gjigandët e kulturës që e ndritën imazhin e kombit, por përmendet për Tom Doshin që është bërë i famshëm përtej Atlantikut për aferat e tij kriminale dhe korruptive  si një nga kokat e gjarprit që ka shtrënguar dhe po asfikson Shqipërinë në morsën e krimit dhe të korrupsionit.

Si asnjë herë tjetër, shteti u përvesh me të gjitha mjetet në aleancë me krimin kundër opozitës, kundër Partisë Demokratike për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve.