I vëllai i vjedh firmën, pronarja në Vorë e mbulon por i hap punë vetes me policinë, çfarë ju gjet në banesë

Një bashkëpronare e një firme në zonën e Vorës ka rënë në prangat e policisë për veprat penale “Veprime qe pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Siç bën me dije policia, " A. Sh., 51 vjeçe, bashkëpronare në një firmë, ka kryer veprime për të fshehur autorësinë mbi vjedhjen e ndodhur në këtë firmë dhe nuk ka dhënë ndihmën përkatëse për të bërë të mundur zbulimin e ngjarjes".

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e kësaj shtetaseje është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme parash që dyshohen se janë siguruar nga kryerja e veprave penale.

Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë  vajza dhe djali i 51-vjeçares, A. Sh., 26 vjeçe dhe A. Sh., 23 vjeç për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vjedhjes,  shtetasi L. T., 48 vjeç që është vëllai i shtetases A. Sh.