I vdiq gruaja gjatë lindjes, bashkëshorti i Elisabeta Lamajt i pret rrugën Kryeprokurorit: Mjekët në punë, prokurori nuk më pret
Bashkëshorti i Elisabeta Lamajt, e cila ndërroi jetë gjatë lindjes, ka ndaluar kryeprokurorin Olsian Çelaj, teksa ky i fundit po largohej pas deklaratës që dha për mediat në lidhje me krimet zgjedhore në Fier.
Bashkëshorti i të ndjerës ka kërkuar ndihmën e kryeprokurorit Çelaj mbi zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Elisabeta Lamajt, duke pretenduar se prokuroria e ka neglizhuar këtë çështje, pasi mjekët që sipas tij janë fajtorë për vdekjen e Elisabetës nuk po hetohen dhe janë ende në punë.
“Jam bashkëshorti i Elisabeta Lamajt që ka ndërruar jetë në spital në datën 10 prill.Mjekët janë në punë, askush nuk më ka pyetur nga prokuroria, të gjithë e kanë neglizhuar këtë çështje. Deri sot kam bërë kërkesë të hënën e parë për të bërë takim me prokurorin askush nuk më ka thirrur.Kërkoj ndihmën tuaj.”
Pas kërkesës së bashkëshortit të së ndjerës, kryeprokurori Çelaj iu përgjigj se do i kërkojë drejtueses së Prokurorisë të zhvillojë një takim në mënyrë që të paraqesi pretendimet e tij.

“Do t’i kërkojë dhe drejtueses së Prokurorisë të marri takim nga ana juaj dhe të paraqisni pretendimet tuaja.”
Elisabeta Lamaj ndërroi jetë më 10 prill teksa po sillte në jetë vajzën e dytë të çiftit.
Familjarët kanë akuzuar mjekët për vdekjen e saj dhe madje kanë protestuar para Prokurorisë Fier duke pretenduar se çështja po neglizhohet.



