S'ka vaksina për dozën e dytë, qytetarët sorollaten sa te Qendra Shëndetësore, sa te sheshi "Skënderbej"
Ndërprerja e vaksinimit paraditen e së dielës për shkak të mungesës së dozave të coronavac në disa prej qendrave shëndetësore në kryeqytet ka sjellë kaos e paqartësi tek të moshuarit. Ata që mbetën pa marrë dozën e dytë të dielën u rikthyen sërish tek tendat në sheshin "Skënderbej" ku pati radhë të gjata, ndërkohë që ka edhe nga ata qytetarë që janë kthyer pa u vaksinuar.
Këto janë rradhët e krijuara në qendrat e vaksinimit në sheshin "Skënderbej" për shkak të problemeve dhe vonesave me furnizimin me dozat e preparatit kinez anti-Covid.
Mungesa e flakonëve të coronavac që pasoi ndërprejrjen e proçesit të vaksinimit për rreth dy orë paraditen e të dielës detyroi të moshuarit që të rikthehen sërish pasi kishin plotësuar afatin 1-mujor për marrjen e vaksinës.
"Duhet të qartësohej."
"Isha dje, pardje. Dje nuk kishte fare, sot u hap dhe shiko si është."
"Kushte mizerabël, tallje me qytetarët".
Qytetarë thonë se në se në disa prej qendrave shëndetësore në kryeqytet ka mungesë të dozave të vaksinës kineze.
Me rekomandim të mjekut të familjes janë paraqitur në shesh, por personeli mjekësor nuk e merr përsipër aplikimin e kësaj vaksine.
Në këto kushte qytetarët janë të paqartë se ku duhet të drejtohen.
"Ku e keni bërë shkoni bëjeni. Nuk ka i thashë, ata na çojnë këtu dhe shiko si sorollatemi."
Deri tani në të gjithë vendin janë kryer më shumë se 664 mijë vaksinime, nga të cilat mbi 212 mijë janë të kompletuar me të dyja dozat.
Ndërkohë ka ende persona që janë në pritje të dozes së dytë kineze për shkak të mungesave në qendra të ndryshme vaksinimi.

