“Vaksina e kësaj pandemie është dashuria", flamuri i ylbertë i LGBT-së shpaloset në sheshin“Skënderbej”

Në Ditën Kundër Homofobisë, aktivistë të Aleancës LGTBIQ dhe pjesëtarë të komunitetit shpalosën flamurin e ylbertë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Ndërkaq, parada pritet të vijojë në sheshin “Nënë Tereza”.
"Më 17 Maj, për dashni mblidhemi në sheshin Nënë Tereza. Edhe pse në kushtet e një pandemie të zgjatur, duam të japim mesazhin se dashuria dhe solidariteti dalin mbi çdo sfidë që jeta na sjellë përpara.
Pandemia COVID 19 nuk është e vetmja pandemi me të cilën ballafaqohen personat LGTBIQ; personat LGTBIQ+ përballen po ashtu edhe me “pandeminë” e homofobisë e tranfobisë, e cila sjell shumë simptoma si: diskriminim, shtypje, përjashtim etj.“Vaksina” e kësaj “pandemie” është dashuria.
Andaj, nën forcën e dashnisë, më datë 17 maj, po mblidhemi për t’ju rikujtuar të gjithe/ave që ne jemi këtu, në mesin e këtij populli. Jemi këtu, për të promovuar diversitetin, barazinë dhe dashurinë. Jemi këtu, për rezistencë. Jemi këtu, për veten. Jemi këtu, për njëri-tjetrin. Jemi këtu, të bashkuar dhe krenar".

