Pastrimi i parave, Çela nga Fieri: Duhen rezultate, ka kërkesa nga ndërkombëtarët për performancën

Krimet zgjedhore dhe pastrimi i parave kanë qenë kryefjalë e takimit të kryeprokurorit  Olsian Çela me prokurorë të Fierit.

Pas takimit, për median ai tha se është shumë e rëndësishme të kemi një hetim të shpejtë.

"Është e rëndësishme që nga prokuroritë të tregohej kujdes maksimal për hetimin e tyre të plotë dhe të shpejtë dhe për të siguruar transparencë në raport me hetimet ndaj publikut, medias që janë sot prezent këtu".

Sipas tij, në Fier ka pasur një numër të konsiderueshëm të çështjeve që janë hetuar apo për të cilat është marrë tashmë një vendim.

"Prokuroria e Fierit është duke i vlerësuar maksimalisht, të paktën nga informacioni që ata dhanë dhe bashkëpunimi ka qenë edhe me institucionet e tjera ligjzbatuese. Shumë shpejt do të kemi rezultate".

Sa i takon pastrimit të parave, Çela tha se efikasiteti në këtë drejtim ka një rëndësie të madhe, pasi ka shumë kërkesa në nivel ndërkombëtar për performancën e vendit në drejtim të luftës ndaj pastrimit të parave.

"Arsyeja e dytë ka të bëjë me hetimet pasurore dhe funksionimin e sistemit të posaçëm që prokuroria e rrethit gjyqësor Fier ka sa i përket pastrimit të produkteve penale dhe evazionit fiskal.Ka rëndësi për rritjen e efikasitetit në drejtim qoftë të hetimeve në lidhje me pastrimin e parave dhe zbatimin e ligjit Antimafia. Janë të rëndësishme rezultatet në këtë drejtim pasi kanë të bëjnë me shumë kërkesa në nivel ndërkombëtar për performancën e vendit në drejtim të luftës ndaj pastrimit të parave por që lidhet gjithashtu dhe me korrupsionin dhe krimin e organizuar".

Po përtej këtyre çështjeve, qytetarët duket se kanë problemet e tyre. Leonard Lamaj, bashkëshorti i Elisabeta Lamaj që ndërroi jetë në  prill të këtij viti në maternitetin e Fierit ju ankua se prokuroria po e neglizhon çështjen e  saj ndaj dhe kërkoi ndihmë prej tij.

"Do ti kërkoj vetë drejtueses së prokurorisë të marrë takim nga ana juaj dhe të paraqesë projektvendimet tuaja" e siguroi Çela para se të hipte në maikinë dhe të nisej drejt Vlorë.