Kryeprokurori Çela në Fier, qytetarët i zënë rrugën në hyrje të prokurorisë për drejtësinë e munguar
Kryeprokurori, Olsian Çela, gjatë një takimi në Fier ku diskutoi me kolegët për çështjen e krimeve zgjedhore, u përball edhe me një grup qytetarësh të cilët shprehën pakënqësi për punën e hetuesve lokalë. Ata i zunë pritë para dyerve të prokurorisë. Kjo zonjë, me lot në sy shprehu indinjatën e saj për moszbardhjen e vdekjes së djalit të saj në një aksident.Edhe qytetarë të tjerë shprehën shqetësime tek kryeprokurori.
Lajmi se kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, do të kishte një takim në prokurorinë e Fierit ka mbledhur para dyerve të saj disa qytetarë.
Me të mbërritur ata i zunë rrugën, duke ju ankuar për probleme të ndryshme për të cilat nuk kishin marrë zgjidhje.
Mes tyre ishte dhe Dallëndyshe Metaj, djali i të cilës, u aksidentua për vdekje në shtator të 2020.
Për vdekjen e 28-vjeçarit policia arrestoi Klaos Mahmutaj për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.
Nëna e viktimës akuzon prokurorinë se po zvarrit hetimet.

"Jam nëna e Qani Metaj i cili para 8 muajsh u shtyp brutalisht me makinë dhe u la në rrugë i vdekur pa asnjë ndihmë nga autori që u kap po atë ditë në 8 të mëngjesit. Po bëhen 8 muaj që nuk është bërë asgjë. Nga prokuroria dhe avokatët e mi më kanë thënë se jemi në procedurë e sipër. I jemi drejtuar ILD, më thanë se për 15 ditë do të merrni përgjigje, sot kanë kaluar 15 ditë dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Nuk është mbyllur akoma hetimi. Nuk po shoh drejtësi, kërkoj të mbyllen hetimet dhe të vazhdojë gjyqi. Kërkoj drejtësi, asgjë më shumë. Sipas meje po lihet pas dore se këtu ka korrupsion".
Një tjetër qytetar ka probleme pronësie, për të cilën thotë se vijon gjyqet prej 15 vitesh.
"Bëhet për familjen time, më kanë bërë pallatet rreth shtëpisë. Tani fola me kryeprokurorin dhe tha më jep shkresat. Besim vetëm te Zoti, se ka 15 vjet kjo punë dhe asgjë. Gjyqtarja thotë heto, prokurori thotë pusho. Nuk ka drejtësi dhe asgjë".
Prokurori i Përgjithshëm ndodhet në prokurorinë e Fierit për një takim pune që ka nisur prej orës 10:00.

Drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, pas Durrësit dhe Fierit, ka zhvilluar takime edhe në prokurorinë lokale të Vlorë.

