Krimet zgjedhore/ Çela thirrje prokurorive: Hetimet të jenë të plota dhe transparente

Kryeprokurori, Olsian Çela, ka kërkuar hetime të shpejta dhe transparente në lidhje me krimet zgjedhore. Deklarata vjen në një kohë kur prokuroria e Gjirokastrës ka regjistruar procedim penal për videon e publikuar nga Vetëvendosja ku shfaqet dëmtimi i fletëve të votimit gjatë procesit të numërimit në KZAZ. Pas takimit me prokurorët e Durrësit, Çela foli edhe për ngjarjet e rënda në vend, duke kërkuar bashkëveprim edhe me SPAK-un.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka përsëritur apelin për prokurorët që kanë në dorë krimet zgjedhore, të shpejtojnë veprimet për hetime sa me transparente në lidhje me këto raste.

Kryeprokurori foli pas një takimi me stafin e prokurorisë së Durrësit.

"Është pjesë e një seri takimesh që do zhvillojmë në disa prokurori, që në fokus do të jenë hetimet për krimet zgjedhore ndërkohë që do të trajtojmë edhe disa çështje të tjera që lidhen me pastrimin e parave apo me zbatimin e ligjit Antimafia.

Në lidhje me hetimin e krimeve zgjedhore është kërkuar nga prokuroritë të ketë përgjigj e të shpejta në drejtim të këtyre proceseve. E rëndësishme është që hetimet të shoqërohen në proces transparent, që publiku të jetë i qartë, e të ketë informacion të plotë në atë çka bërë Prokuroria. Duhet të jemi të besueshëm dhe integritetin e prokurorëve dhe prokurorisë.

Çështja e zgjedhjeve është çështje që prek shumë prokurori të rretheve gjyqësore e kanë impakt në të gjithë vendin, ndaj rezultati i çdo hetimi, është i rëndësishëm. Rëndësi ka që hetimet të jenë të plota, të kryhen në kohën e duhur e rezultatet t’i përcillen publikut. Ne jemi drejtuar disa herë prokurorive të rretheve gjyqësore, i është ofruar mbështetja për të kryer hetimet e plota dhe profesionale që lidhen me zgjedhjet”.

I pyetur nëse ka patur blerje votash, Çela u përgjigj se për këtë duhet pyetur SPAK.

"Blerja e votave është kompetencë e SPAK”- tha ai.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur prokuroria e Gjirokastrës ka regjistruar procedim penal për videon e publikuar nga dega e Vetëvendosjes në Shqipëri ku fletët e votimit dëmtohen gjatë procësit të numërimit.

Sa i përket ngjarjeve të renda kriminale në vend, Çela u ka kërkuar prokurorëve te rretheve te ndërveprojnë me Prokurorinë e Posaçme.

“Po tani jemi për krimet zgjedhore  është e vështirë të analizojmë të gjithë kriminalitetin. Unë mendoj që prokuroria të mos humb fokusin mbi asnjë çështje të rëndësishme. Prokurorët  të zabatojnë të gjitha detyrat dhe ngjarjet e rënda kriminale. Prokurorët të ruajnë, të jenë koherente dhe të kenë bashkëpunim me SPAK qoftë për krimin e organizuar, trafiqet.  Prokurorët të veprojnë pa vonesa dhe me rezultate konkrete."

Mësohet se kreu i akuzës do të zhvilloje një tur takimesh ne prokuroritë e rretheve ku në fokus do të jetë nxitja hetimeve për krimet zgjedhore.

Ndërkohë në të gjitha prokuroritë e vendit, përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme, numri i procedimeve për këto krime ka shkuar në mbi 200.

Deri tani për këto çështje ende nuk ka nisur marrja në pyetje e personave të përfshirë por prokurorët janë në fazën e mbledhjes dhe analizimit të provave.