ILD kërkon shkarkimin nga detyra të tre gjyqtarëve të "El Classico" dhe gjyqtares së Apelit Tiranë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, vijon me kërkesat për shkarkimin e magjistrateve.

Metani i është drejtuar me kërkesë për Këshillit të Lartë Gjyqësor për procedim disiplinor shkarkim nga detyra për tre gjyqtarët e Durrësit, Klinton Spahiu, Petrit Ceno dhe Petraq Dhimitri, të dënuar nga ish-Krimet e Rënda për korrupsion pasiv.

Ish-gjyqtari Petraq Dhimitri dhe dy kolegët e tij Kliton Spahiu e Petrit Çeno u shpallën fajtorë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në tetor të vitit 2019 dhe u dënuan me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit. Fajtor u shpall edhe biznesmeni Namik Sadiku, që u akuzua se u ka paguar atyre udhëtimin dhe qëndrimin në Madrid për të parë një ndeshje futbolli midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.

Shkarkimi i gjyqtares se Apelit

Gjithashtu, Metani i ka kërkuar KLGJ-së me kërkesë edhe për shkarkimin e gjyqtares së Apelit Tiranë, Evgjeni Sinoymeri, e cila pak ditë me parë u shkarkua nga shkalla e parë e vetingut.

Më herët me kërkesë të ILD-së u shkarkuan gjyqtari i Korçës Markeljan Kuqo, gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha dhe Prokurori i Krujës Bujar Memia.