Ishte në kërkim, arrestohet 26 vjeçari në Shkodër dhe bashkëpunëtori i tij, sekuestrohen 3000 fara kanabis
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy shtetas të cilëve ju gjetën dhe sekuestruan 3000 fara cannabis sativa.
Sipas njoftimit të bluve, u bë arrestimi i shtetasit Redon Cani, 26 vjeç banues në Krujë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasit Jetmir Luga 26 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë.
Shtetasit e lartpërmendur janë kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, duke qarkulluar me një automjet. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3000 fara cannabis sativa.
Shtetasi Redon Cani dyshohet si një nga bashkëpunëtorët e ngjarjes së datës 03.11.2020, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, ku ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë automjeti kamion me drejtues shtetasin shqiptar E. C., 40 vjeç dhe në afërsi të qytetit të Tuzit, Mal i Zi, strukturat e antikontrabandës malazeze, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kamion, gjetën një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa.
Materialet iu referuan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.
