Një vit përballje me pandeminë: “I barabartë me 24 vite eksperiencë infermierore”
Përballja me pandeminë gjatë një viti për kryeinfermieren e spitalit Infektiv Merita Ndreu është sa të gjitha vitet e punës së bashku.
Ajo ka qenë infermierja e parë që ka pritur pacientin zero të koronavirusit. Menjëherë pas festës së 8 marsit 2020, ajo është paraqitur në punë.
"Kam ardhur në orën 9 të darkës në shtëpi dhe më ka marrë shefja në telefon: "Rita nisu." Ethet dhe drithërimet tona nuk kishin fund. Ishim jashtëzakonisht të emocionuar. Na dukej sikur ai do të kishte flatra dhe do të fluturonte. Ai ishte njeri si gjithë të tjerët."
Emocionet më pozitive i ka përjetuar kur pacientët e parë i shpëtuan Covid-it dhe lanë spitalin për tu kthyer në shtëpi.
" Nxjerrja e dy pacientëve të shëruar, aq më tepër që ishin nga e njëjta familje, babë e bir, për ne ishte arritje shumë e madhe. Ishim shumë të lumtur për këtë gjë."
Ndërsa si momentet më të vështira kujton humbjet e jetëve të pacientëve në moshë të re.
" Ato momente, që një i ri është shumë mirë dhe në të qindrat e sekondit ai vazhdon të bëjë një frymëmarrje shumë të rrallë dhe t'i ulet oksigjeni. Të të vdesë para duarve. Ai ishte tmerri më i madh."
Në ditën ndërkombëtare të infermierëve, ministrja e shëndetësisë falenderoi të gjithë stafin infermier të infektivit për punën e palodhur dhe në shenjë mirënjohje u dha trëndafila.
Në më shumë se një vit pandemi, Manastirliu kërkon përsëri vigjilencë nga cdo qytetar përballë rrezikut të infektimit.
" Padyshim që i respektojmë dhe jemi falenderues për gjithë sakrificën, profesionalizmin dhe punën e bërë përgjatë këtyre muajve."
Virusi Sars Cov2 u ka marrë jetën 11 infermierëve, ndërsa numri i mjekëve që nuk e fituan dot betejën me infeksionin është mbi 40 vetëm në Shqipëri.
