Vrasja e Behar Sofisë i kalon SPAK, 4 të ndaluarit vepruan si “Grup i Strukturuar Kriminal”
Vrasja e Behar Sofisë do ti kalojë për hetim SPAK. Prokuroria e Tiranës ka argumentuar se 4 të ndaluarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, ndaj dhe ia ka kaluar kompetencën strukturës së posaçme. Deri më tani ende nuk dihet se cili është porositësi i ekzekutimit, por dyshimet janë se ngjarja ligjet me konfliktet për trafikun e lëndëve narkotike.
Dy muaj nga vrasja e biznesmenit Behar Sofia në qendër të Tiranës, dosja hetimore kundër 4 personave të arrestuar, si të dyshuar për këtë ngjarje, i ka kaluar SPAK për hetime të mëtejshme.
Vendimi është marrë nga drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, e cila vendosi të shpallë moskopetencën.
Gjatë hetimeve të deri tanishme është arritur në identifikimin dhe më pas arrestimin e 4 personave.
Ndërsa në vendimin për moskompetencë është argumentuar se personat përgjegjës për vrasjen e Behar Sofisë kanë vepruar me role dhe detyra të ndara, duke plotësuar elementët juridik të akuzës së “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kërkuar që të jetë SPAK që te vazhdojë procedurat për Ernejt Shytin, Skënder Vathin, Xhuliano Vishan dhe Leonard Xhixhan si dhe për të zbuluar personin që ka udhëruar dhe financuar vrasjen e biznesmenit Behar Sofia në 25 shkurt.

Dyshimet për ngjarjen deri më tani janë për shkak të konfliktit të trafikut të drogës.
Autori i vrasjes Ernejt Shyti, është arrestuar në Malin e Zi një javë pas atentatit. Ai u zbulua nga kamerat e sigurisë kur u largua nga vendi i ngjarjes mbi një biçikletë, vetëm dy minuta pas vrasjes.
Këto pamje filmike tregojnë qartë qetësinë që ka pasur autori si para dhe pas vrasjes së Behar Sofisë, duke ecur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më tej ka dalë në kodrat e “Liqenit Artificial”, duke ndërruar rrobat dhe braktisur biçikletën.
Sipas dëshmisë së një endacaku me inicialet A.P, vrasësi para kryerjes së krimit, biçikletën e kishte fshehur poshtë urës së Lanës.
Pas ndalimit në Malin e Zi Shyti ka treguar se ofertën e parë për të kryer vrasjen e Sofisë e kishte marrë nga shoku i tij, Xhuljano Visha.
Ky i fundit më pas e ka prezantuar me një person që e thërrisnin me nofkën “Daja”, që më vonë rezultoi të ishte Skënder Vathi nga Fushë Kruja.
