"Shumë denoncime dhe pak reagime", Kikia: Mediat duhet të dijë të vetëmbrohet edhe përballë ligjeve

Misioni i medias shkon drejt degradimit nga viti në vit, sidomos në sisteme autokratike si ai i Shqipërisë, ku media e ka humbur peshën e pushtetit të katërt.

Kikia: Sot jemi në kushtet ku ka shumë denoncime dhe shumë pak reagime.

Mentor Kikia, një nga gazetarët që ka kaluar disa qeveri në punën e tij në media, thotë se reporterët, nuk janë të lirë.

Presioni i pushtetit i bën ata të pafuqishëm në pasqyrimin e realitetit.

Kikia: Media dhe qeveria janë një oponencë e përhershme. Qeveria drejton, media investigon, kritikon.

Në ato raste kur mediat kritikojnë njerëz me pushtet, është e pritshme, thotë Kikia, që të ketë përplasje mes punonjësve të shtypit dhe atyre që qeverisin.

Kikia: Në asnjë vend të botës qeveritë nuk janë të lumtura me një media të lirë, mediat duhet të dinë të vetëmbrohen. Vetëmbrojtja nuk është thjesht të shkruash dhe të flasësh shumë, por të dish të reagosh edhe përballë ligjeve.

3 Maji është dita botërore e lirisë së shtypit  dhe Shqipëria sapo ka mbyllur zgjedhjet parlamentare, ku nga vëzhgimet e OSBE-ODIHR u vu re se partitë politike nuk hoqën dorë nga futja e materialeve të tyre elektorale në edicionet e lajmeve.