Mesazhe kërcënimi/ Meta kërkesë kompanisë: U dërguan nga qendra juaj e mesazheve, presim informacione
Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, ka reaguar sërish në lidhje me mesazhet që u janë dërguar qytetarëve në emër të kreut të shtetit.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Blushi bën me dije se Meta i ka dërguar një kërkesë për informacion kompanisë "One Telecommunications", pasi mesazhet janë dërguar nga kjo kompani telefonike.
Mësohet se Presidenti është në pritje të kompanisë për informacion të hollsishëm.
Postimi i plotë:
“Sot, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ju drejtua me një kërkesë për informacion kompanisë "One Telecommunications" lidhur me keqpërdorimin kriminal të mesazheve telefonike, gjoja sikur janë dërguar nga numri i Tij personal zyrtar, në adresë të disa qytetarëve.
Sipas të dhënave të siguruara, mesazhet e manipuluara, janë dërguar nga qendra e mesazheve të kësaj kompanie telefonike.
Për këtë arsye, Presidenti Meta është në pritje nga "One Telecommunications" të informacionit të nevojshëm, para nisjes së procedurave ligjore në sistemin ndërkombëtar."
Para disa ditësh, Blushi në një konferencë për shtyp, ka bërë me dije se qindra qytetarëve, u janë dërguar mesazhe në emër të Presidentit Ilir Meta.


