E bënë detin "tokë" me qëllim ndërtimin e një moli, arrestohen 2 persona në Sarandë
Policia e Sarandës ka zhvilluar nëj operacion të përbashkët me IKMT për goditjen e paligjshmërisë, duke arrestuar dy persona.
Sipas njoftimit të policisë, këta 2 shtetas në mnëyrë të kundërligjshme kishin mbushur një pjesë ujore në bregun e detit në lagjen nr. 4 Sarandë, me qëllim ndërtimin e një moli.
Nga denoncimet e bëra nga qytetarët se dy shtetas po mbushnin hapësirën ujore në afërsi në bregut të detit, duke hedhur inerte në mënyrë të kundërligjshme, policia ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve: F. M., 40 vjeç dhe I. B., 56 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Sarandë.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi F. M. kishte marrë një kamion që drejtohej nga shtetasi I. B. dhe nëpërmjet tij po mbushte një hapësirë ujore në afërsi të bregut të detit, me qëllim ndërtimin e një moli.
Arrestimi i tyre u bë për veprën penale "Ndërtimi i paligjshëm" dhe materialet i kaluan Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme .
