Evis Kushi: Javën tjetër hapen shkollat, ja si do zhvillohet mësimi
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar pas sugjerimit më të fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve në lidhje me rikthimin e plotë në skenarin e parë të procesit mësimor në shkollat tona.
Në njoftim për mediat, Kushi shprehet se javën tjetër, duke nisur nga e hëna, të gjithë nxënësit do të mund të kthehen në klasat e tyre, duke zbatuar masat kundër Covid-19.
“Më në fund, procesi mësimor për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar nga klasa 1-12, do të zhvillohet në mjediset fizike të shkollave çdo ditë të javës, ndërkohë që të gjitha institucionet tona arsimore janë gati për këtë skenar që në fillim të javës tjetër duke ruajtur dhe respektuar rregullat e higjienës dhe distancimit fizik sikurse janë përcaktuar qartë nga MSHMS”¸ shprehet Ministrja Kushi dhe nënvizon se njësoj si në fillim të këtij viti shkollor, do të lihet në fleksibilitetin e shkollave për të hartuar specifikisht grafikun mbi zhvillimin e procesit mësimor sipas skenarit të parë: qoftë ai me një, dy apo me shumë turne, në varësi të numrit të nxënësve apo kushteve të shkollës.
Duke falënderuar me shumë mirënjohje mësuesit dhe stafet arsimore për punën e jashtëzakonshme, Kushi thotë se përpara është sfida e madhe e provimeve të Maturës Shtetërore dhe mbyllja me sukses e këtij viti shkollor.
“Kam shumë besim se ju do të vazhdoni të punoni intensivisht që maturantët tanë të dalin faqebardhë. Ju lutem, t’i shfrytëzoni këto javë që kanë mbetur për të identifikuar dhe plotësuar të gjitha mangësitë që mund të jenë krijuar gjatë mësimit online”, shprehet ajo.
“Përfaqime të sinqerta për të gjithë ju, nxënës të dashur, që deri më tani ia dolët të përballeni e të përshtateni shumë shpejt me një vit aspak të lehtë! Një bravo të madhe edhe për përgjegjshmërinë që vazhdoni të reflektoni çdo ditë në shkollat tona dhe jashtë tyre!”, i drejtohet Ministrja Kushi të gjithë nxënësve.
Ndër të tjera, ajo shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë prindërit, që megjithë të papriturat e rezervuara nga pandemia COVID-19, durimi i secilit prej tyre ka ndihmuar të kapërcejmë këtë sfidë për realizimin e qëllimit të përbashkët, arsimimin sa më të mirë të fëmijëve tanë.
“Ne ia dolëm me sukses vetëm falë bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe solidaritetit që treguam të gjithë për njëri-tjetrin!”- thotë ajo.

