Përplasja në Elbasan/ Papleka me një plagë në dorë: U përgjigj për vetëmbrojtje
Ish-efektivi i RENEA-s Arbër Papleka rezulton të ketë mbetur i plagosur në dorë në përplasjen me armë të ndodhur në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
Anëtari i strukturës së PD për mbrojtjen e votave, ka pretenduar se është qëlluar i pari nga persona të tjerë dhe më pas ka nxjerrë armën për vetëmbrojtje.
Papleka, u ka treguar prokurorëve se ka një plagë në dorë dhe për këtë fakt, është kërkuar ekspertim mjeko-ligjor, për të mësuar nëse plaga është shkaktuara nga armë zjarri apo nga mjete të mprehta.
Rimarrja në pyetje
Dy ditë më parë oficerë të prokurorisë kanë kërkuar që të rimarrin në pyetje Paplekën, por ky i fundit ka refuzuar të japë dëshmi, duke treguar se ishte tepër i tronditur nga ajo që kishte ndodhur.
Makinat e PD
“Ora News”, ka mundur të sigurojë raportin e plotë të policisë, ku tregohen se 5 furgonë të markës “Renault Trafik”, në të cilët ishin vendosur anëtarë të Strukturës së Mbrojes së Votës, pranë Partisë Demokratike në Elbasan.
Pikërisht me këto mjete ishin duke qarkulluar në Elbasan anëtarët e strukturës së mbrojtjes së votës të cilët rreth orës 14.00 njoftuan policinë dhe kërkuan ndërhyrjen e saj për kapjen e shtetasit Mehmet Greca.
Policia shkoi në vendin e ngjarjes, por nuk arriti të shmangte përplasjen me armë ku u vra Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër persona të tjerë përfshirë edhe një oficere të rendit.
Të ndaluarit Mehmet Greca i janë gjetur me vete 2 kartëmonedha 50 euro (100 Total) dhe një kartëmonedhë 200 lekëshe ndërkohë që në automjetin ML, të bllokuar nga anëtarët e SMV-së, që rezulton të jetë në emër të Eduart Grecës, janë gjendur një 1 shkop gome me ngjyrq të zezë, një bllok në emër të Met Dafllaku, në cilin ishin shënuar me shkrim dore emra dhe ID të shtetasve të ndryshëm, tre fletë në të cilën ishte e shkruar formularë patronazhi dhe një kapele me mbishkrimin “Adidas.


