25 Prilli/ Caka e bindur: LSI fiton minimumi 10 mandate në Tiranë

Silva Caka, kandidate e LSI në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 25 Prillit, në një intervistë për Ora News, ka komentuar fushatën elektorale, pritshmëritë e forcës politike që ajo përfaqëson për votimet e së dielës dhe atë çfarë pritet pas tyre.

Sipas Cakës, fushata ka qenë në tërësinë e saj e qetë pavarësisht presioneve, shantazheve dhe tentativave për shit-blerje të votës.

“Fushata është karakterizuar nga ngjarje të ndryshme dhe momente të ndryshme. Ajo që për ne është më tepër e rëndësishme është sigurisht kontakti me çdo qytetar. Dhe jemi përpjekur, çdo kandidat i LSI. Por mesa kam parë, edhe kandidatët e aleatëve janë gjendur në çdo centimetër të terrenit dhe me çdo qytetar të mundshëm. Programet kanë qenë të alternuara, të thjeshta dhe të kuptueshme dhe ka patur momente tensioni, siç kanë qenë ngjarjet e ditëve të fundit, por ne jemi përpjekur shumë që tju tregojmë qytetarëve shqiptarë se çfarë po ndodh në realitet, të paktën sa i përket presioneve, shantazheve dhe tentativave të shit-blerjes së votës.

Ajo që është pozitive për tu përmendur është se, pavarësisht presioneve, pavarësisht spiunazhit, apo çdo shantazhi tjetër kryer ndaj qytetarëve, kam vënë re që qëndrimi i tyre është shumë dinjitoz përballë gjitha këtyre. Kjo është shpresëdhënëse, jo vetëm për ata, por edhe për ne si përfaqësues të forcave politike që i takojmë çdo ditë dhe na konfirmojnë se pavarësisht çfarë ndodh ata qëndrojnë të fortë dhe e kanë marrë tashmë vendimin e tyre dhe për të mbështetur me votë koalicionin opozitar”, u shpreh Caka.

Sa mandate synon në Tiranë LSI?

“Dyfishimi është minimumi. Pra, nëse 2017, LSI ka pasur 5 mandate, 10 mandate është minimumi për ne”.

Është objektiv dhe pritshmëri. Jua shpjegova edhe pak më parë. Është perceptimi që gjithësecili prej nesh merr në zonën në të cilën drejton fushatën", u shpreh Silva Caka.

Ish deputetja është numri 10 në listën e LSI në qarkun e Tiranës.