UEFA dhe Ceferin mirëpresin “rebelët” e SuperLigës

Inter, Milan dhe Atletico Madrid janë klubet e radhës që zyrtarizuan largimin nga SuperLiga duke lënë tashmë të vetëm Real Madridin pasi edhe Juventusi bëri të njëjtën gjë duke u tërhequr. Një veprim i tillë sigurisht që është pritur mire nga presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin i cili reagoi pozitivisht që në momentin kur 6 klubet e Premier League vendosën të largoheshin në bllok nga kompeticioni i ri.

“E kam thënë që është për t’u admiruar kur pranon që ke gabuar dhe këto klube bënë një gabim të madh. Por tani janë rikthyer në grupin tone dhe e di që kanë shumë për të ofruar, jo vetëm kompeticioneve tona por për të gjithë futbollin europian. Gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë përpara e të rindërtojmë unitetin që gëzonte më parë ky sport”, përfundon nota e reagimit të kreut të UEFA-s.

Ajo që mbetet për t’u parë është fakti nëse do të ketë penalizime ndoshta për ideatorët e këtij kompeticioni ose nëse do të ketë bisedime mes palëve për të diskutuar dhe ndryshuar sërish Champions League pasi për klubet e mëdha ende ekziston një uri e madhe për të patur një kompeticion të ri ku të ndeshen vetëm klubet elitare.