Turku blente vota në Vlorë/ Biznesmeni dhe sekseri shqiptar hetohen për krim zgjedhor
Një shtetas turk dhe një 24 vjeçar nga Vlora janë vënë në hetim në gjendje të lirë për krim zgjedhor pasi akuzohen se për tentative të blerjes së votave në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit.
Abdulgafur Balikçi 23 vjeç, sipas policisë i ka dhënë shuma parash në kohë të ndryshme 24-vjeçarit Juriseld Muçaj nga Vlora me qëllim që ky i fundit t’i përdorte për të blerë vota.
Po sipas deklaratës zyrtare, 24-vjeçari Juriseld Muçaj do të siguronte votat e disa të njohurve të tij kundrejt pagesës.
Jo zyrtarisht burime policore kanë nxjerrë edhe emrin e subjektit politike në FAVOR të të cilit dyshohet se do të bleheshin votat, por zyrtarisht kjo nuk thuhet në deklaratën e Policisë së Vlorës.
Hetimi për rastin, do ti kalojë SPAK, që ka për kompetencë krimet zgjedhore.
Gjatë kësaj fushate zgjedhore denoncimet publike për fenomenin e shitblerjes së votës nuk kanë munguar, por rasti i vlorës është vetëm I dyti I goditur nga Strukturat ligjzbatuese.
Gati dy javë më parë, një person u arrestua në Pukë në rolin e sekserit dhe drejtuesi politik i LSI u vu në hetim për blerje vote.
Ndërkohë dy punonjës të Bashkisë së Beratit u vunë nën hetim në gjendje të lirë të martën pasi u kapën në një fugon me ushqime nga Rezervat e Shtetit, pasi përfaqësues të opozitës akuzuan se do të shpërndaheshin me qëllim sigurimin e votave për Partinë Socialiste.