Databaza e PS/ Abazi: Synimi kryesor pushteti, jo të drejtat, të miratohet ligj që mbron burimet e gazetarisë

Në lidhje me vjedhjen e të dhënave të qytetarëve të cilat ndodhen në dorën e PS-së, Boiken Abazi që përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje në Shqipëri,  është shprehur se e dënon faktin, që autoritetet janë përpjekur të sekuestrojnë mjetet e punës të gazetarëve të Lapsi.al.

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Abazi tha se institucionet duhet të merreshin me autorët që fshihen pas ngjarjes, dhe jo të ushtohet presion ndaj gazetarëve të cilët zbuluan, skandalin me të dhëna.

Më tej ai ka thënë se synimi kryesor i i forcës politike që ka të dhënat është pushteti dhe jo të drejtat e qytetarëve.

 Boiken Abazi: Unë së pari do të dënoja publikisht at çfarë ka ndodhur me portalin Lapsi.al, kemi dëgjuar që ka pasur përpjekje për të sekuestruar mjetet e tyre të punës. Është e domosdoshme që në Republikën e të miratohet një kuadër ligjor që i mbron burimet e gazetarisë, problemi është se një subjekt politik ka vjedhur të dhënat e qytetarëve, sigurisht pa i pyetur. Nuk ka pasur prokurori të hetoj dhe të ngrejë aktakuza ndaj autorëve por ushtrojnë presion ndaj sinjalizuesve në këtë rast të gazetarëve dhe portalit Lapsi, është e papranueshme kjo gjë. Besojmë që një zëri të kërkojmë ndaljen e tentativa të presionit nga pushteti aktual për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Synimi kryesor është pushteti dhe jo të drejtat. Ndaj Albin Kurtit kur ishte në Shqipëri, u përdorën etiketa, ofendime nga më të ndryshmet, nga mediat shumë afër nga qeverisë. Halli i tyre nuk është ndërhyrja në punët e brendshme. Jemi në një lojë shumë të pisët do thoja.

Teksa ka folur në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve ai tha se nuk synon të futet në qeveri po të ketë një opozitë të fortë.

Boiken Abazi: Unë vetë kam ca kohë që nuk e përdor fjalën tranzicion, kemi të bëjmë me një sistem të mirë instaluar,  ky është një sistem që prodhon varfëri, pabarazi ekstreme është një sistem i lidhur me bandat kriminale përmes të cilave merr dhe tenton ta mbaj pushtetin. Është e rëndësishme që të bëhemi bashkë me qytetarët dhe ta kuptojmë që jemi më të fuqishëm. Kemi kaluar diktaturë, luftëra dhe asnjëherë nuk jemi dorëzuar. Është e rëndësishme të kuptojmë se në historinë tonë kemi dy shtet shqiptare, të bashkohemi dhe të shfrytëzojmë të gjitha të mirat që na sjellë kjo gjë.  Ne kemi refuzuar koalicionet parazgjedhore edhe pse na janë ofruar, nuk synojmë të hyjmë në qeveri, ne synojmë të mbetemi Lëvizje në Shqipëri.  Nëse subjektet politike do dëshirojmë votën tonë duhet të ketë një diskutim. Ne synojmë që të ngrejmë një opozitë të fortë.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini