"Të jetë gjaku i fundit për zgjedhje"/ Meta paralajmëron Ramën nga Kavaja: Thirri mendjes sa nuk është vonë
22:23 - Ka mbërritur në zyrën elektorale të PD në Kavajë ku mbeti i plagosur një 27-vjeçar edhe presidenti i Republikës Ilir Meta.
Përkrah Grida Dumës, kreu i shtetit ftoi qytetarët e Kavajës të ruajnë qetësinë, ndërsa paralajmëroi kryeministrin Edi Rama dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu se nuk ka shaka.
"Për kryeministrin e bandave të Shijakut dhe Dibrës të jetë gjaku i fundit për zgjedhje. Shyqyr Zotit ka shpëtuar. I le lëshuar banditët në të gjithë Shqipërinë. Thirri mendjes para se të jetë vonë e para se të merren vendime historike për 100 vitet e ardhshme. Leri njerëzit të votojnë të qetë e të lirë.
Boll e shkele Kodin, ti dhunove marrëveshjen e 5 qershorit, mos kujto se Kavaja tremben.
Meta kishte dhe një thirrje për Drejtorin e Policisë së Shtetit: Ardi Veliu lëri motivet e dobëta. Eshtë serioze loja nuk ka shaka. Mos i lini ata që janë në kërkim të bredhin nëpër Shijak, Sukth e këtu e kudo tjetër se do të ketë veprime spektakolare që s'ju ka vajtur mendja. A ka trima që duan ta prekin?! Ta provojnë! Ka çuna problematikë?! Po kur të bëhet populli problematik dhe presidenti problematik, ku do shkosh ti Edi Rama?". Nuk ka vrimë gjëkundi në Shqipëri që të zë.
Jemi bërë faqja e zezë e botës për qejfin tënd. 3 vjet na bllokove me atë të Fierit, tani dhe 5-6 vjet. Thellohu, reflekto dhe shko tek SPAKU dhe rrëfehu vetë! Me qetësi. Presidenti e ka detyrë të bëjë thirrje për reflektim. Me qetësi! Çdo njeri që bën krime zgjedhore do të përgjigjet. Nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese", u shpreh ndër të tjera Meta.
Meta pershendeti Grida Dumen per fushaten e qete.
Ju përshëndes për fushatën e qetë dhe civile dhe vazhdoni në këtë mënyrë, ftoj qytetarët e Kavajës që të ruajnë qetësinë.
Lidhur me ngjarjen ku mbeti i plagosur 27-vjeçari Bledi Okshtuni, policia ka shpallur në kërkim autorin Ndriçim Jonuzi. Të përfshirë në këtë ngjarje janë gjithashtu Markel Shtylla, drejtori i Policisë Bashkiake, dhe Dorian Troplini.
21:51 - Presidenti i Republikës Ilir Meta është nisur nga qyteti i Elbasanit, ku ishte i ftuar në një televizion lokal, drejt Kavajës aty ku pak më parë u plagos me armë zjarri një aktivist i PD-së, brenda zyrës elektorale të kësaj force politike.
"Presidenti Meta, sapo u nis nga Elbasani, drejt Kavajës së pamposhtur të Demokracisë!", shkruan Blushi.
20:22 - Edhe Presidenti Ilir Meta do të niset drejt Kavajës.
Lajmin e jep zëdhënësi i tij, Tedi Blushi.
Sipas tij, aktualisht kreu i shtetit ndodhet në një iftar në qytetin e Elbasanit, së bashku me klerikët lokalë dhe menjëherë pas një interviste për një televizion lokal do të niset drejt Kavajës.
Tedi Blushi: Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta po e ndjek me shumë shqetësim situatën në Kavajë.Për shkak se aktualisht, Kreu i Shtetit ndodhet në Elbasan, në një iftar të organizuar nën kujdesin e Tij, me klerikët lokalë të pesë komuniteteve fetare, ku janë të ftuar edhe personalitete të nderuara të qytetarisë elbasanase, si dhe për shkak të një interviste të planifikuar më herët në TV "Skampa", bëj me dije se menjëherë pas saj, Presidenti Meta do të niset urgjentisht drejt Kavajës.
Kreu i Shtetit i fton qytetarët e Kavajës të mos provokohen dhe të ruajnë qetësinë në këto ditë të fundit para Referendumit të Ndryshimit të Madh të 25 Prillit.
Lexo edhe: Plumba ndaj zyrës së PD në Kavajë, një i plagosur