Sulmohet me armë zyra e PD, Çipa: Episode të tilla të kujtojnë situata të shëmtuara të post-komunizmit
Ditën e sotme në Kavajë është qëlluar me armë drejt njërës prej zyrave elektorale të Partisë Demokratike në lagjen nr.15. Si pasojë e të shtënave, ka mbetur i plagosur shtetasi Bledar Okshtuni, ndërsa është shpallur në kërkim si autor i ngjarjes, Ndriçim Jonuzi.
I ftuar në studion e RTV Ora, kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa e cilëson këtë si një ngjarje të shëmtuar të tranzicionit post-komunist.
Ka një tensionim të situatës sepse raportohet që kanë qenë aktivistë të PS ata që kanë qëlluar dhe akuzohet edhe shefi i policisë bashkiake që shoqërohej me personin që ka qëlluar.
Aleksandër Çipa: "Episode të tilla të kujtojnë fushatat më të shëmtuara të tranzicionit pos-komunist në Shqipëri. Është brengosëse që rikthehen konflikte të tilla të cilat janë të shëmtuara për një demokraci. Është një përgjegjësi e madhe e partive kryesore politike, pro në veçanti e liderëve politikë që të mos rikthejnë ato fushata që kanë qenë një turp demokracie për Shqipërinë e sidomos e zgjedhjeve shqiptare. Apeli që duhet të vinte në raste të tilla ishte që Shqipëria të kishte një fytyrë tjetër të administrimit të proceseve zgjedhore. "
Zoti Çipa në mbledhjen e sotme të Komitetit të Ekspertëve është marrë edhe një vendim që në pamje të parë duket se nuk ka lidhje me procesin zgjedhor të 25 prillit. Por, Komiteti ka vendosur që kush do të kthehet nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut do të karantinohet për 2 javë. Është një hile e vogël kjo?
Lexo edhe: Plumba ndaj zyrës së PD-së/ Basha niset me urgjencë drejt Kavajës
Aleksandër Çipa: "Unë nuk do të doja ta trajtoja vendimin e Komitetit si një shërbim për efekte politike, sepse nuk bën dot llogari në këtë pikë aq më tepër për një shtet fqinj si Greqia që ka qenë gjithmonë e prirur të orientojë ardhjen e elektoratit, kah partive apo subjekteve që përfaqësojnë në mos profilin filo-grek, të paktën interesin e një devize qytetare. Nëse një vendim i tillë, në rastin konkret do të kishte një suport politik, kjo do të ishte shumë e keqe dhe do të ishte cenim i lirisë së votimit. Aq më tepër kur qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama ka premtuar se do të mundësonte pjesëmarrjen e emigrantëve në votime. Mosrealizimi i premtimeve të tilla janë një nga turpet e elitës politike në këto 30 vjet."
Intervistoi Beti Njumja, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku