Fushata zgjedhore/ Abazi: Kemi pasur presione, qasje oportuniste për të shfrytëzuar varfërinë e shqiptarëve

Kandidati që përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje në Shqipëri Boiken Abazi, ka folur edhe në lidhje me fushatën zgjedhore ku ka thënë se është pritur mirë nga qytetarët.

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, ai tha se ka pasur edhe tensione si në rastin e protestës në Mirditë, ku u arrestuan 33 persona, në mesin e tyre dhe aktivistë të VV-së.

Më tej ai thotë se në këtë fushatë zgjedhore ka një qasje oportuniste, që sipas tij shfrytëzon mjerimin e qytetarëve shqiptarë.

Abazi: Në fakt fryma nëpërmjet së cilës ne kemi vepruar në këto zgjedhje është shumë në shpërputhje me rastin në fjalë. Qytetarët po na presin me shumë dashamirësi. Jo vetëm në Tiranë por edhe në Gjirokastër por edhe në Lezhë. Lëvizja është mirëpritur. Kemi pasur edhe raste tensionimi në Lezhë, me policinë ku kandidati i LVV vajtën në përkrahje të protestës në Mirditë dhe më pas policia arrestoi 33 persona.

Kemi pasur një mënyrë presioni. Këto taktika presioni që janë ushtruar janë të papranueshme. Në shumë drejtime nuk ka ndryshuar qasja e të bërit fushatë, ka tentativa për blerje vote, është një qasje oportuniste që shfrytëzon mjerimin që janë lënë shumë prej qytetarëve shqiptar. Problemi kryesor është qasja oportuniste për ta shfrytëzuar varfërinë e shqiptarëve që politikanët që kanë krijuar këtë gjendje të pasurohen edhe më tej.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini