Në kërkim të një pune, gruaja e dhunuar nga bashkëshorti dhe familja e tij: Forcën e gjeta te fëmijët
"Ka lënë plagë dhe do të vazhdojmë. Them se do ta harroj, por nuk e besoj se do të ndodhë."
Ky është rrëfimi i një 36-vjeçareje e cila për më shumë se 18 vite është dhunuar nga bashkëshorti dhe familja e tij.
"Unë vij nga një martesë 18 vjeçare, 15 vite kemi bashkëjetuar ku kanë ardhur në jetë katër fëmijë, 3 vjet martesë dhe më pas divorci. Ka pasur dhunë fizike dhe psikologjike, më shumë nga njerëzit e afërt të bashkëshortit. Pas një ndodhie, ku im shoq nuk ishte më në shtëpi, filloi dhuna më e madhe ku unë vendosa të largohesha nga shtëpia bashkë me fëmijët e mi".
Pavarësisht dhunës, ajo thotë se kanë qenë fëmijët që i kanë dhënë kurajo për të mos u dorëzuar.
"Ilaçi dhe shërimi kanë qenë fëmijët."
E vetme dhe e papunë, 36-vjeçarja kërkon nga bashkia e Tiranës zgjatjen e kontratës së banesës me qira e cila i mbaron në fund të muajit maj.
"Duke pasur katër fëmijë shumë të vegjël dhe duke qenë vetëm me një rrogë të më mundësojnë qiranë ose një banesë sociale."
Sociologia, Entela Binjaku, rendit një sërë faktorësh pse gratë nuk raportojnë dhunën në polici.
"Së pari se janë të papuna, janë të pastreha dhe kur kanë edhe fëmijë mendojnë mbi të gjitha për fëmijën. Së dyti nuk gjejnë përkrahje, nuk ka politika që u vijnë në ndihmë, janë pothuajse të pambrojtura. Së treti, edhe kur raportojnë kanë parë mjaft raste ku një grua edhe pse ka qenë me urdhër mbrojtjeje sërish ajo ka qenë pre e dhunës ose e krimit fatal".
36-vjeçarja e cila është në kërkim të një pune ka një apel për të gjitha gratë që bien pre e dhunës në familje.
"Të gjitha gratë që kanë dhunë në familje mos të rrinë por të denoncojnë, të hedhin hapin para, të mos kenë frikë."
Nga janari deri me 14 prill 2021 në gjykatën e Tiranës janë regjistruar 421 kërkesa për divorc, ndërkohë që gjatë gjithë vitit të kaluar ky numër ka qenë 1451.
Kufizimi i seancave gjyqësore për shkak të pandemisë duket se është bërë shkak që proceset për zgjidhje të martesës të shtyhen pa një vendimmarrje.