Cukali: Partitë përdorin rrjetet sociale për të shmangur mediet, manipulohet më kollaj publiku
Në një intervistë për Ora News, kreu i Këshillit Shqiptar të Medies Koloreto Cukali u shpreh se në këtë fushatë zgjedhore shqetësuese është gjuha e komunikimit që përdoret zakonisht.
Sipas Cukalit, një dëm shumë i madh për lirinë e shprehjes është se media e ka të pamundur që të shohin se çfarë ndodh në terren, pasi partitë i bëjnë materialet dhe i dërgojnë.
Cukali: Këtë fushatë e shoh shqetësuese dhe shoh se gjuha e komunikimit është e rënduar. Në një mungesë të një oferte me program mbetet përpjekja për të bërë zhurmë dhe për ta tërhequr publikun me gjuhë të rëndë dhe ka gjuhë urrejtje të vazhdueshme. Mendoj se një dëm shumë i madh për lirinë e shprehjes është se media e ka të pamundur që të shohin se çfarë ndodh në terren, pasi partitë i bëjnë gati në terren dhe mediat i raportojnë si lajme, sikur kanë qenë vetë aty. Ky është një material që vjen nga partitë politike dhe jo mediat.
Arsyeja pse fushata po zhvillohet online bëhet në mënyrë që të shmangen gazetarët, sepse nuk bën askush pyetje dhe mund të shmangesh fare thjeshtë. Pyetjet në Facebook nuk janë të kontrolluara ose nuk janë profesionale, ose në rastin më të keq janë profile false. Anonimët që bëjnë pyetje në rrjetet sociale nuk janë pyetje në interes të publikut, por janë pyetje të stisura. Në rrjetet sociale mund të bllokosh këdo. Unë p.sh jam i bllokuar në Twitter-in e kryetarit të bashkisë. Kjo tregon se ata mund të bllokojnë këdo që bën pyetje jo të duhura për ta. Në këtë rast gazetaria është shmangur dhe e gjithë është jë marketing.
Cukali shtoi se media ka si funksion që në emër të publiku të ruajë pushtetin dhe të mbrojë interesat e këtij publiku, por sipas Cukalit kjo gjë në fushatë është eliminuar tashmë.
Cukali: Media ka si funksion që në emër të publiku të ruajë pushtetin dhe të mbrojë interesat e këtij publiku. Kjo gjë në fushatë është eliminuar tashmë. Më parë zgjidheshin gazetarë miqësore me një parti të caktuar, por as kjo nuk ndodh më tashmë. Financimet e partive politike janë një problem prej kohësh dhe një gjë e tillë është ngritur nga shumë gazetarë. Ky është një nga problemet themelore të minimit të demokracisë. Paratë që hidhen në fushatë, para që nuk dihet se sa janë, mbahen sekret edhe pse duhet të ishin transparencë. Investimi në rrjetet sociale vjen, sepse është kuptuar se është më kollaj që të manipulohet publiku. The Guardian dje kishte një artikull ku një ish-punonjëse e Facebook në vende me liri të cungut, Facebook ishte kthyer në një mjet manipulimi përmes llogari të rreme.