Artan Lame: Kadastra nuk po përdoret politikisht për fushatë
Kreu i Kadastrës, Artan Lame u është përgjigjur sërish nga Lezha akuzave se legalizimet dhe certifikatat e pronësisë po shpërndahen për vota.
"Mjafton t'iu tregoj grafikun e legalizimeve dhe grafikun e certifikatave të tokës gjatë vitit të fundit që nuk ka asnjë ndryshim në rritje apo në zvogëlim," tha ai.
Lame pranon faktin se ka një shtim të aplikimeve, por këtë e lidh me paralajmërimin e PD për ndryshimin e ligjit për pronat.
"Thoshin që do anulojmë ligjin 20/20 që do ishte marrëzia më e madhe dhe kjo është një nga arsyet pse na janë shtuar ne aplikimet. Njerëzit kanë dëgjuar këtë historinë që do anulohet ligji, i ka kapur tmerri dhe na vijnë ne e na thonë dua ta mbaroj tani, të regjistroj tokën se pale çfarë ndodh më mbrapa," tha Lame.
Në Lezhë, problematikat më të mëdha, janë në zonën e Ranës së Hedhun.
"Rana e Hedhun nuk është çështje e regjistrimit të tokës, është çështje e regjistrimit të tokës ku janë gjithë mish-mashët e mbivendosjeve ndër vite të titujve të ndryshëm të pronësisë. Aty ka toka që mund të regjistrohen, ka toka që nuk mund të regjistrohen dhe nuk do regjistrohen kurrë," tha Lame.
Drejtori i Kadastrës takoi në Lezhë vartësit në veri të vendit ku në fokus ishte analiza e punës për zbatimin e ligjit 20/20 të cilin e cilëson zgjidhjen më të mirë të problemeve me pronën.