Basha, marrëveshje me biznesin, zotohet të mos ketë taksa mbi 0.5% të xhiros

Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar sot një takim me Shoqatën Kombëtare të Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, ndërsa gjatë diskutimeve u firmos dhe një marrëveshje ku zotohet për ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë, rritje të kufirit të TVSH-së si dhe reduktim të burokracive.

Basha u shpreh se do të mbështesë bizneset që të dalin nga situata ku janë zhytur.

Basha: Kam bindjen më të thellë se me këtë i bëjmë një shërbim të jashtëzakonshëm shoqërisë, i bëjmë shërbimin më të mirë ekonomisë shqiptare dhe qëllimit tonë madhor, ringritjes ekonomike, zgjimit kombëtar ekonomik, hapjes së vendeve të punës dhe rritjes së pagave për shqiptarët.

Kreu i Partisë Demokratike tha se jemi në një krizë ekonomike për shkak të dështimit të qeverisjes së Ramës.

Basha: Të mos përsëritet më një cikël 8 vjeçar apo qoftë dhe 4 vjeçar si ky që do të lëmë bashkë pas me 25 prill. Një cikël pasigurie, terrori masash të njëpasnjëshme që kanë goditur në palcë ekonominë, duke goditur në veçanti sipërmarrjen e vogël.

Në mbyllje Basha tha se marrëveshja që u dakordësua me biznesin do të hyjë në fuqi që ditën e parë të qeverisjes së tij.