Meta dekoron me “Nderi i Kombit” atdhetarin dhe gjuhëtarin Kostandin Kristoforidhi
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekoruar pas vdekjes me titullin e lartë "Nderi i Kombit", atdhetarin, gjuhëtarin, leksikografin dhe ilimunistin e shquar Kostandin Kristoforidhi.
“Për veprimtarinë e çmuar në rrugëtimin e Pavarësisë së Shqipërisë, promovimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Me veprën e tij kontribuoi në njësimin gjuhës shqipe, zhvillimin e arsimit, si dhe mbrojtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare", thuhet në motivacionin e kreut të shtetit.
Ilir Meta: Privilegj i veçantë të dekoroja atdhetarin, gjuhëtarin, leksikografin dhe iluministin e shquar Kostandin Kristoforidhi (pas vdekjes) me Titullin e lartë “Nderi i Kombit”, “Për veprimtarinë e çmuar në rrugëtimin e Pavarësisë së Shqipërisë, promovimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Me veprën e tij kontribuoi në njësimin gjuhës shqipe, zhvillimin e arsimit, si dhe mbrojtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.”
Kostandin Kristoforidhi mbetet një ndër patriotët mendjendritur më të shquar elbasanas, që kontribuoi për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet gjuhës, arsimit dhe kulturës. Ai punoi për të nxjerrë në dritë prejardhjen e lashtë të shqiptarëve, virtytet e kombit dhe për ndërtimin e një sistemi arsimor kombëtar.
Kristoforidhi mishëroi përmes veprës së tij gjeografinë e qytetit të Elbasanit, si pikëtakim veri-jug dhe lindje-perëndim të Shqipërisë, duke projektuar bashkimin dhe përparimin e kombit përmes gjuhës së gjallë amtare.Figura të tilla madhështore për Atdheun tonë, për gjuhën e kulturën shqipe janë shembull frymëzimi në çdo kohë dhe për të gjithë brezat.
Ata na kujtojnë se sa i shtrenjtë është Atdheu, sa i fuqishëm dhe i domosdoshëm është arsimi, se sa mund e gjak është derdhur ndër shekuj për të mbrojtur dhe pasuruar identitetin, pavarësinë dhe kulturën tonë kombëtare.Ka ardhur dita që qytetarët e Elbasanit t’u kthehen rrënjëve të tyre, jo vetëm duke i nderuar ato me mirënjohjen dhe admirimin, që meritojnë, por edhe duke i rikthyer Elbasanit identitetin e tij historik si vatër e personaliteteve të dijes, shkencës, arsimit dhe kulturës.Jam i sigurtë se pasardhësit e Kostandin Kristoforidhit, Aqif Pashë Elbasanit, Dhaskal Todrit, Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, e shumë e shumë të tjerëve, do t’ia rikthejnë lavdinë historike qytetit të tyre përmes rizgjimit kombëtar, që sot duhet të bëjë bashkë të gjithë shqiptarët që Shqipërinë e kanë të shenjtë.
“Zgjohuni shqiptarë!", jehon thirrja e Kristoforidhit dhe e të gjithë etërve të kombit!
Kostandin Ndelka, i njohur si Kostandin Kristoforidhi lindi në Elbasan, 22 maj 1827 ose 1830 dhe ndërroi jetë më 1895. Me përkthimet e tij në përgjithësi dhe atë të Dhiatës së Re në veçanti ai ka dhënë një ndihmesë vendimtare për themelimin e një gjuhe letrare shqipe.
Dekorata iu dorëzua pinjollëve të Kristoforidhit.