I dyshuari për ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit lihet në burg

Albert Zaja, i akuzuari për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, doli për herë të dytë para gjykatës së Fierit për krimin e datës 1 Shkurt. Këtë të mërkurë ai u njoh me masën e sigurisë për armëmbajtje pa leje.

Albert Zaja, i dyshuar si ekzekutor i Shkëlzen Kastratit ka dalë për herë të dytë para gjykatës së Fierit që vendosi ta mbajë në qeli.

Këtë të mërkurë, 37-vjeçari u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”, këtë herë për veprën penale “armëmbajtje  pa leje të armëve luftarake”.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe në masa të rrepta sigurie.

Me 24 mars ai u njoh me masën e caktuar në mungesë nga Gjykata e Fierit për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim.

Në gjykatë, mohoi akuzën e përfshirjes në krim dhe kërkoi që të mos mbahet në burgun e Fierit pasi ndjehej i kërcënuar për shkak të hasmërisë.

37-vjeçari, Albert Zaja, është i vetmi i arrestuar i grupit të dyshuar të vrasësve me pagesë që vranë 42-vjeçarin Kastrati në makinën e tij në rrethrrotullimin e Sheqit.

Të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij në këtë vrasje janë Elmir Tufa, 29 vjeç, Elson Xheçuka, 27 vjeç, dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, të cilët janë ende në kërkim nga policia.

Por hetimi sipas burimeve ende nuk ka arritur të zbardhë kush ishin porositësit e ekzekutimit të Shkëlzen Kastratit, familjes së të cilit ndër vite i janë bërë disa sulme.