Kandidati i ABEOK, Qako denoncon: Na ndalojnë të bëjmë fushatë në Berat e Fier
Kandidati për deputet i koalicionit ABEOK Andon Qako, ka thënë se teksa po bënin fushatë në Poliçan, kanë shkuar dy civilë që ishin paraqitur si policë bashkiakë dhe i kanë kërcënuar që të ndërpresin tubimin.
I ftuar në edicionin e lajmeve në Ora News, Qako tha se ata pengohen për të bërë fushata në Berat por edhe në Fier, sakaq ka shtuar se policia bashkiake përdor një gjuhë vulgare dhe kërcënuese.
Andon Qako: Ne na erdhën dy civilë, erdhën si policë bashkiak dhe na kërcënua. Na treguan një letër që nuk ka asnjë lloj vlere dhe na thanë që ju nuk mund të bëni podium, nuk mundet që të flisni këtu sepse nuk është e lejueshme. Ne na quajnë statikë, është qesharake. Na është dashur që të flasim me gjuhë të ashpër me policinë bashkiake që nuk e dinim nëse ishin policë bashkiak apo jo.
Ne jemi fyer, jemi kërcënuar, kanë dashur që të na dhunojnë, kemi thirrur policinë. Edhe policia të jemi të sinqertë po na pengonte, por megjithatë e kuptuan se ne kishim të drejtë dhe na dhanë të drejtë të zhvillojmë tubimin. Ne kemi pengesa si në Berat ashtu edhe në Fier sepse ata nuk njohin as ligjin dhe nuk kanë asnjë kompetencë. U kërkuam dokumentet origjinale na thanë që të shkojmë në policinë. Policët bashkiakë kanë një gjuhë vulgare dhe kërcënuese.
Ai theksoi se situata e ditës së sotme është tensionuar por pas komunikimit me policinë kanë rënë dakord se qytetarët ishin në të drejtën e tyre për të bërë fushatë.
Qako: Erdhën më shumë se 10 policë, erdhi dhe drejtori i policisë. Pati një komunikim të gjatë. Unë jam konfrontuar në mënyrë verbale edhe me ata sepse edhe ata nuk ishin kompetentë. Por në fund e kuptuan se ne ishim konform ligjit. Kishim rreth një orë debat që mund të përfundojë edhe me shoqërimin tonë në komisariat.
Qako: Ne jemi një aleancë. Po tentojmë ndryshimin e sistemit politik, dhe unë po ju them qytetarëve se unë do filloj revolucionin nga Berati. Unë dua 7 deputetë sepse po ju ofrojë shansin e madh që të lind histori që Berati të njihet si qytet ku lindi një demokraci. Sistemi që unë ofrojë është një sistem që mund të vijë pas shekujsh, ndërsa unë do të sjell revolucionin nëse do kem mbështetjen e qytetarëve. Unë dua një Republikë për qytetarët.