Partizani bën detyrën ndaj Bylisit, ngjitet në vend të dytë
Në "Air Albania" u luajt ndeshja e fundit e javës së 27-të të Kategorisë Superiore mes Partizanit dhe Bylisit, sfidë që u dominua plotësisht nga të kuqtë me fitoren e pastër 3-0.
Skuadrës së Ilir Dajës i mjaftuan vetëm 15 sekonda për të kaluar në avantazh me Stenio Junior i cili përfitoi nga një gabim i portierit Qirko për të tundur rrjetën.

Ballshiotët të shokuar pas këtij goli e patën të vështirë të reagonin teksa Partizani mund të shënonte pa frikë edhe 2-3 gola në pjesën e parë por Junior dhe Çinari nuk u treguan të saktë.

Nevojitej pjesa e dytë e ndeshjes që vendasit të korrigjonin shënjestrën për të mbyllyr ndeshjen.
Në minuten e 69, Jasir Asani dyfishoi rezultatin pas një asisti në zonë nga Çinari teksa ky i fundit i vuri kapakun rezultatit me golin e tretë personal në minuten e 85' me një gjuajtje me të majtën në kufirin e zonës.
3-0 dhe vendi i dytë i blinduar bashkë me Vllazninë por Partizani nuk bën asnjë lëshim ndaj Teutës në luftën për titull.
Durrsakët kryesojnë të parët me 49 pikë ndersa Partizani dhe Vllaznia me nga 47 pikë në vend te dytë e me pas Laçi 45, Tirana 42, Kukësi 35, Kastrioti 30, Bylis 26, Skënderbeu 23 dhe Apolonia 17 pikë.