Orges Shehi: Titulli na vë nën presion, gabuam me Skënderbeun
Tirana bëri një hap fals në Korçë ndaj Skënderbeut duke humbur mundësinë për t’u afruar më shumë me kreun dhe trajneri Orges Shehi e pranoi se skuadra vuajti presionin për të marrë maksimunin.
“Nuk jemi të kënaqur me rezultatin, do të ishim të kënaqur me fitoren. Futbolli është i tillë, duhet ta pranojmë rezultatin dhe të përgatitemi për ndeshjet e tjera. Duhet të ishim më konkretë te rastet që na u dhanë, mund të bënim më mirë, por është e vështirë ndaj një kundërshtari që rri i mbyllur në mbrojtje dhe nuk lë hapësira. Lojtarët ndoshta ngarkohen më shumë, kur afrohen me kreun apo kur përmendet fjala titulli. Ndoshta ishim më të ngarkuar dhe nuk i shfrytëzuam rastet dhe të shënonim për fitoren”
Ish trajneri i Skënderbeut dhe Kukësit vlerësoi se loja duhet të ishte më efektive duke sqaruar edhe filozofinë e tij të lojës.
“Në filozofinë time nuk është të luajmë me krosime dhe me topa të gjatë. Për presionin jam dakord që në një klub objektivat janë madhorë. Por, edhe orari i ndeshjes, i karikon më shumë lojtarët. Në disa momente e kemi zgjidhur keq, gjatë javës kemi punuar nga krahët. Duhet të bënim më mirë, sidomos nga krahët. Nuk donim të luanim në qendër”, përfundoi trajneri i bardhebluve