Interi "fluturon" drejt titullit, arrin 11 fitore radhazi

Interi vijon të konfirmohet si ekipi më në formë në Serinë A teksa nuk ndalet së fituari. Zikaltërit regjistruan suksesin e 11 radhazi që e konfirmon në +11 pikë diferencën me Milanin e vendit të dytë, duke mposhtur 1-0 Cagliarin në ,"San Siro". Nuk ishte e lehtë për Interin të fitonte ndaj sardëve të cilët po luftojnë për mbijetesën dhe u duheshin pikë. Zikaltërit tentuan në të gjitha mënyrat golin dhe në pjesën e parë hasën në pritje fantastike te Vicarios që ktheu mbrapsht gjuajtjet e Eriksen dhe Lukakut. E njëjta panoramë edhe në 45 minutat e dyta ku Interi rriti presionin duke u ndalur nga Vicario dhe traversa. Shpëtimi për zikaltërit erdhi në minutën e 77' kur një depërtim i Hakimi në zonë shtroi topin për Darmian i cili shtyu topin në rrjetë, 1-0 dhe 3 pikë për Interin që nuk di të ndalet dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë titullit të 19-të në histori.