Brdariç: I marrim pikë Laçit, më pas dueli i Kupës
Në pak ditë do të kemi dy përballje Vllaznia-Laçi, një për javën e 27-të të Kategorisë Superiore dhe më pas në mesjavë për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, tek ndeshje me eliminim.
Në vigjilje të duelit për kampionatin, trajneri Thomas Brdariç foli në konferencën për shtyp ku insistoi që skuadra t’i marrë gjërat me radhë dhe më kryesorja të marrë pikë në duelin e nesërm pasi dy përballjet e mëparshme, shkodranët janë larguar me zero pikë.
“Jemi të përqendruar te ndeshja e kampionatit. Më e rëndësishme është loja e nesërme ndaj Laçit. Gjendja fizike nuk është e keqe, por jemi të fokusuar te ndeshja nesërme e kampionatit. Dëshira është t’i fitojmë të dy ndeshjet, në kampionat dhe Kupë. Përgatitja jonë është e mirë, gjendja është pozitive, kemi shumë detyra përpara, i kemi eliminuar disa probleme, të shohim se si do të ece skuadra“.
Trajneri i ekipit shkodran më pas sqaroi se ka grup të plotë lojtarësh dhe alternativat nuk i mundojnë për të përballuar të dyja sfidat ndaj Laçit.
“Jam shumë i kënaqur, kemi punuar shumë këtë javë dhe nesër besoj se do të japim maksimumin. Vetëm Imami ka probleme fizike, pjesa tjetër e ekipit është e shëndoshë. Kam shumë lojtarë, jam i kënaqur me gjendjen e tyre. Kemi qenë me fat që kemi bërë dy stërvitje në stadium, kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Është i vetmi ekip të cilit nuk kemi mundur t’i marrim pikë. Nesër do e provojmë t’i marrim pikë, do të jetë dita jonë që do provojmë t’i marrim pikë Laçit”, përfundoi fjalët e tij në konferencën për shtyp trajneri Thomas Brdariç.